Kurti: NATO është e pazëvendësueshme, publikuam një letër që po mbahej fshehtë

  • 27 February 2020 - 17:00
Kurti: NATO është e pazëvendësueshme, publikuam një letër që po mbahej fshehtë

Kryeministri Albin Kurti pas takimit me Komandantin e KFOR-it Michele Risi, ka komentuar sërish letërkëmbimin që ish-Kryeministri Thaçi kishte bërë në prill 2013 me ish-sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.

Kurti ka shkruar në Facebook se NATO është e pazëvendësueshme për Kosovën

“Para tre muajve isha në ndërrimin e komandës së KFOR-it ku Gjeneral Michele Risi mori komandën. Sot e mirëprita në Kryeministri. E kam thenë atëherë, e them tash dhe do të them përherë se prania e NATO-s në Kosovë është e pazëvendësueshme gjersa rajoni është ende jostabil dhe përderisa përballemi me një shtet që ka pretendime territoriale ndaj nesh”, ka shkruar Kryeministri.

Kryeministri Kurti ka thënë se letrën e ka publikuar pasi që ishte mbajtur fshehtë.

“Ajo që ne kemi bërë është publikimi i një letre e cila ishte mbajtur e fshehur nga publiku. Me sa kam parë, askush nuk na ka kritikuar se përse e kemi bërë transparente një letër të mbajtur fshehtë, e cila nuk ka qenë dokument i klasifikuar, por kritikuan opinionin ligjor nga zyra ime se pse ka rekomanduar shkarkimin e presidentit”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Postimi i plotë:

1. Para tre muajve isha në ndërrimin e komandës së KFOR-it ku Gjeneral Michele Risi mori komandën. Sot e mirëprita në Kryeministri. E kam thenë atëherë, e them tash dhe do të them përherë se prania e NATO-s në Kosovë është e pazëvendësueshme gjersa rajoni është ende jostabil dhe përderisa përballemi me një shtet që ka pretendime territoriale ndaj nesh.

2. NATO nuk ka nevojë për shkëmbime të fshehta me popullin e Kosovës sepse ne e kemi pritur me lule e me përqafime. Nuk është e rastësishme që nga zyrtari i NATO-s unë e mora letërkëmbimin dhe jo nga Presidenti ynë. Çështja është pse Presidenti e bëri atë zotim mu në ditën kur edhe nënshkroi 'Zajednicën' me Daçiqin në Bruksel? Pse nuk e njoftoi askënd, dhe a veproi Presidenti në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën?

3. Ajo që ne kemi bërë është publikimi i një letre e cila ishte mbajtur e fshehur nga publiku. Me sa kam parë, askush nuk na ka kritikuar se përse e kemi bërë transparente një letër të mbajtur fshehtë, e cila nuk ka qenë dokument i klasifikuar, por kritikuan opinionin ligjor nga zyra ime se pse ka rekomanduar shkarkimin e presidentit.

4. Ne jemi shoqëri e hapur që po ndërtojmë demokraci të qëndrueshme me punën e një qeverie progresive. Do të ketë dhe duhet të ketë debate e kritika e mospajtime çdoherë por duhet të ndërtojmë shtetin e së drejtës. Institucionet duhet të respektojnë e zbatojnë ligjet dhe Kushtetutën.

(Kosova Sot Online)