Prokuroria s’ka rënë ende në gjurmët e vrasësve të Qerim Kelmendit

  • 01 March 2020 - 13:32
Prokuroria s’ka rënë ende në gjurmët e vrasësve të Qerim Kelmendit

Prokuroria s’ka arritur ende t’iu bie në gjurmë vrasësve të Qerim Kelmendit, i cili u vra e dogj të enjten në mëngjes në një fshat të Pejës. Kryeprokurori Agim Kurmehaj ka thënë se organi i akuzës është duke bërë gjithçka për zbardhjen e vrasjes. 

Hashim Thaçi, Albin Kurti, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj ishin të parët që ngushëlluan familjen Kelmendi kur u vra e u dogj, Qerim Kelmendi, të enjten në mëngjes. Nuk e kanë thënë ende asnjë fjalë Kadri Veseli për këtë vrasje. Nuk dihet pse ka heshtur Shefi i PDK’së. Asnjë fjalë s’e kanë thënë as udhëheqësit e LDK’së.

Sidoqoftë, kanë kaluar tri ditë dhe ende s’ka asnjë të dyshuar e arrestuar për vrasjen e ish-themeluesit të Lëvizjes Popullore të Kosovës nga e cila ka dalë Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Kryeprokurori i Pejës, Agim Kurmehaj, ka thënë se janë duke i vazhduar hetimet për zbardhjen e vrasjes.

“Nuk ka të dyshuar. Në bashkëpunim me policinë jemi duke i ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore.  Për shkak të fazës hetimore s’mund të tregojmë detaje tjera”, ka thënë Kurmehaj, për media të dielën.

Burime të mediaskanë thënë se të gjitha pistat janë të hapura për hetim. Duke përfshirë edhe mundësinë që kjo vrasjet të ketë lidhje me atë cka ka ndodhur pasluftës.

Një i dënuar për vrasjen e një polici ndërkombëtar, Shkumbin Mehmeti, e kishte lidhur familjen Kelmendi me vrasjet e pasluftës. Kishte thënë se Ibrahim e Qerim Kelmendi qëndrojnë prapa urdhrave për vrasjet e pasluftës përfshirë disa zyrtarë të LDK’së.

Familja Kelmendi kishte mohuar një deklaratë të tillë. Qerim Kelmendi kishte thënë se këto telenovela i ka dëgjuar qe dy dekada.

Shkumbin Mehmeti kishte përmendur edhe Florim Ejupin dhe një atentat të dështuar ndaj Xhavit Halitit.

Një ditë para se të vritej Qerim Kelmendi, Prokuroria kishte intervistuar një pjesëtar të Familjes Kelemdni si të dyshuar për vrasjet politike.

Vëllai i Qerimit, Ibrahim Kelmendi, kishte drejtuar gishtin kah përkrahësit e Ibrahim Rugovës për vrasjen e vëllait. Më vonë e kishte fshirë postimin në Fb.

“Festoni rugovistë “pacifistë” – dorë e zgjatur vrastare e Serbisë! Mallkimi dhe turpi ju mbulofshin”, kishte shkruar Ibrahim Kelmendi.

(Kosova Sot Online)