Ambasadori gjerman sqaron disa nga detajet e Ligjit gjerman për Fuqinë Punëtore të Kualifikuar

  • 01 March 2020 - 14:23
Ambasadori gjerman sqaron disa nga detajet e Ligjit gjerman për Fuqinë Punëtore të Kualifikuar

Nga 1 marsi ka hyrë në fuqi Ligji gjerman për Fuqinë Punëtore të Kualifikuar, i cili rregullon në detaje ardhjen e tyre nga vendet jashtë Bashkimit Evropian.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt përmes një videoje ka treguar detajet e këtij Ligji.

“Më 1 Mars 2020 do të hyjë në fuqi Ligji i Migracionit në Gjermani. Me këtë rast nuk bëhet fjalë për kuota të reja për leje pune për punëtorët nga Ballkani Perëndimor, por për një rregull që vlen në mbarë botën”, tha Heldt në videon e publikuar nga ambasada gjermane në Prishtinë.

Sipas tij, fuqi e kualifikuar punëtore do të thotë të kesh kualifikim profesional në cilindo sektor.

“Kjo është një rregull për fuqi punëtore të kualifikuar, e cila mund ta organizojë migrimin në Gjermani në bazë të kësaj rregulleje të re ligjore. Por fuqi e kualifikuar punëtore do të thotë të kesh kualifikim profesional në cilindo sektor, i cili që duhet të njihet në Gjermani përpara se të mund të parashtrohet një kërkesë për vizë”, ka shtuar ai.

Lidhur me këtë, ambasadori Heldt thotë se, Gjermania ka ndërtuar një gamë të gjërë të instrumentëve për ta ndihmuar jetën profesionale në Kosovë.

“Në gjithë këtë, prioritet për ne është që kjo ndërlidhet edhe me idenë e migrimit qarkullues, që do të thotë që kualifikimet e reja, të cilat merren në Gjermani mund të barten më vonë në jetën profesionale në Kosovë për ta zhvilluar edhe më tej ekonominë e këtushme. Edhe në këtë pikë Gjermania këtu në Kosovë ka një gamë të gjerë instrumentesh për të ndihmuar në jetën profesionale në vend”, ka përfunduar Heldt.

(Kosova Sot Online)