Koronavirusi godet tregun e aksioneve dhe shkakton lirim të naftës

  • 09 March 2020 - 10:27
Koronavirusi godet tregun e aksioneve dhe shkakton lirim të naftës

Vlera e aksioneve në bursën e Londrës ka shënuar rënie të konsiderueshme prej tetë për qind. Rënie u regjistrua edhe në Azi, ku indeksi Nikkei i Japonisë ra për pesë për qind, ndërsa në Australi pati rënie prej 7.3 për qind, rekord nga viti 2008.

Tregjet e aksioneve u goditën nga kërcënimi për një luftë çmimesh mes organizatës së vendeve prodhuese të naftës, OPEC, dhe Rusisë, që shkaktoi rënie të çmimit të karburanteve për gati 30 për qind.

Pas rënies së çmimit të naftës, vazhdoi efekti zinxhiror, duke shkaktuar edhe rënie të vlerës së aksioneve të kompanive energjetike, shkruan “BBC”.

Edhe investitorët aziatikë reaguan me zvogëlim të investimeve pas rënies së eksporteve të Kinës dhe tkurrjes së ekonomisë japoneze.

Në dy muajt e parë të këtij viti, eksporti i Kinës ra për 17.2 për qind, ndërsa importi për 4 për qind. Kjo shkaktoi deficit tregtar prej 7.1 miliardë dollarëve.

E tërë kjo gjendje besohet se është shkaktuar nga frika e përhapjes së koronavirusit dhe ndikimit të tij në ekonomi.

(Kosova Sot Online)