A do të lejohet kthimi i organizuar i qytetarëve të Kosovës të mbetur jashtë kufijve, sqaron ministri

  • 18 March 2020 - 07:53
A do të lejohet kthimi i organizuar i qytetarëve të Kosovës të mbetur jashtë kufijve, sqaron ministri

Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë mbetur jashtë kufijve shtetërorë të vendit, dhe që për arsye të ndryshme nuk kanë mundësi të qëndrojnë tutje jashtë, duhet të kontaktojnë ambasadat e Kosovës përgjatë 48 orëve të ardhshme.

“Në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit do të lejojë – në mundësitë që ekzistojnë – kthimin e organizuar për rastet e evidentuara nga ambasadat tona. Në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, secili i kthyer do të qëndrojë i mbyllur në karantinë për një kohë të dhënë”, ka thënë Abdixhiku në një postim në Facebook.

Ai tha se kujdesi për qytetarët të ngujuar jashtë në mënyrë të përgjegjshme, të organizuar dhe pa rrezikuar shëndetin publik në Kosovë është obligim i institucioneve tona.

“Secili shtetas i yni ndërsa, që nuk ka urgjencë, mund të zgjasë afatin e qëndrimit jashtë. Sërish, për këtë luten t’i drejtohen ambasadave tona jashtë”, potencoi ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, në emër të ministrit të Jashtëm, Glauk Konjufcës dhe Arben Vitisë, ministër i Shëndetësisë.

(Kosova Sot Online)