OBSh-ja: Koronavirusi është larg fundit në Azi dhe Paqësor

  • 31 March 2020 - 10:05
OBSh-ja: Koronavirusi është larg fundit në Azi dhe Paqësor

Një zyrtar i Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka thënë se koronavirusi është larg fundit në rajonin e Azisë dhe Paqësorit dhe se masat e tanishme për luftimin e përhapjes vetëm janë duke blerë kohë për shtetet që të përgatiten për shkallë më të lartë të infektimeve.

“Pavarësisht të gjitha masave, rreziku i përhapjes në rajon nuk do të zhduket përderisa vazhdon pandemia”, tha Takeshi Kasai, drejtor rajonal i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Paqësorin Perëndimor.

“Më lejoni të jem i qartë. Epidemia është larg fundit në Azi dhe Paqësor. Kjo do të jetë një betejë e gjatë dhe ne nuk mund t’i ngadalësojmë masat. Kemi nevojë që çdo shtet të vazhdojë të përgatitet për përhapje të madhe brenda komunitetit”, shtoi ai gjatë një konference virtuale për medie.

Kasai gjithashtu tha se prioritet i kësaj organizate do të jenë shtetet me burime të kufizuara, siç janë vendet ishullore të Oqeanit Paqësor, sepse ato janë të detyruara t’i dërgojnë mostrat në shtete të tjera për ta zbuluar diagnozën e njerëzve të testuar dhe se kufizimet në transport po e vështirësojnë këtë proces.

Matthew Griffith, këshilltar teknik në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, tha se OBSh-ja nuk pret që ndonjë shtet të jetë i sigurt, sepse koronavirusi do të arrijë në çdo vend, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)