Rusia për herë të parë shënon mbi 1 mijë raste të koronavirusit për një ditë

  • 07 April 2020 - 10:52
Rusia për herë të parë shënon mbi 1 mijë raste të koronavirusit për një ditë

Qendra për Reagim ndaj Krizave në Rusi njoftoi se gjatë 24 orëve në këtë shtet janë shënuar 1,154 raste të reja të koronavirusit.

Kjo është shifra më e lartë zyrtare për periudhën njëditore që është shënuar deri më tani në shtetin me sipërfaqen më të madhe në botë.

Rritje shënoi edhe numri i viktimave. Në 24 orët e kaluara, nga koronavirusi në Rusi vdiqën 11 persona dhe kështu numri i përgjithshëm i të vdekurve shkoi në 58, shkruan “Reuters”.

Autoritetet kanë marrë masa të gjera kundër përhapjes. Rusia ishte ndër shtetet e para që e mbylli kufirin me Kinën dhe i ndërpreu fluturimet ndërkombëtare.

Sidoqoftë, duket se qeveria ruse ka vendosur ta mbajë paradën e Ditës së Fitores me 15 mijë ushtarë, që ka ngjallur kritika dhe shqetësime për mundësinë e përhapjes së virusit.

Parada e Ditës së Fitores në Rusi shënohet çdo 9 maj dhe paraqet fitoren ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore.

(Kosova Sot Online)