Nënkryetari i LDK’së Imri Ahmeti përfshihet në përplasjen ndërmjet Veliut e Osmanit pa përmendur emra
Kryetari i Lipjanit njëherit nënkryetar i LDK-së, Imri Ahmeti ka komentuar përplasjen në distancë të dy nënkryetarëve të kësaj partie, Vjosa Osmani e Agim Veliu.
Ahmeti ka shkruar në Facebook se ua njohin kontributet e secilit por nuk do të lejojnë që për interesa personale ta keqpërdorin LDK-në.
“Referenca në të kaluarën është paketim i pretendimeve personale. Ju njohim dhe ju pranojmë kontributet tuaj por nuk ju lejojmë të keqpërdorni për interesa tuaja shtëpinë tonë asnjërit”, ka shkruar kryetari i Lipjan.
Ai ka shkruar tutje se LDK-ja nuk mund të rrënohet nga individët.
“As kujdestarët që bëjnë aktrimin e të fortit e as ata që bëjnë aktrimin e shpëtimtarëve të vetëshpallur nuk mund të na tërheqin në vallen e orkestruar me vegla e dirigjent sipas shijës tuaj.
Shtëpia e madhe nuk mund të rrënohet nga individ, nuk është pronë e askujtë.
Refuzojmë këto lojra, refuzojmë këtë kulturë të diskursit”, është shprehur Ahmeti.
(Kosova Sot Online)