Refuzohet kërkesa, të burgosurit nuk do të lirohen për shkak të koronavirusit
Të burgosurit që kanë shpresuar që mund të lirohen në shtëpi shkaku i pandemisë nuk do të mund të dalin nga burgjet.
Asnjë i dënuar në burgjet e Kosovës nuk është prekur nga koronavirusi. Pavarësisht këtij fakti Ministrisë së Drejtësisë i është kërkuar të lirojë në shtëpi përkohësisht persona me sëmundje kronike, gratë, të miturit dhe ata që kanë ndëshkime më të lehta.
Meqë një gjë të tillë nuk e lejon ligji, Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu iu drejtua Komisionit Parlamentar për Legjislacion. Përgjigja që mori ishte negative.
Këto refuzime për t’i liruar të burgosurit po cilësohen si shkelje nga Komisioni për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut që e bëri kërkesën te ministrja.
U refuzua edhe përpjekja që lirimi i një kategorie të burgosurve të bëhet nëpërmjet gjyqësorit.
Anëtari i Komisionit për Legjislacion Abelard Tahri i tha Klan Kosovës se në letrën e dërguar deputetëve Ministrja nuk dha propozimin për plotësim ndryshim të ligjit për ekzekutimin e sanksioneve penale. Sipas tij edhe po të bëhet kjo, Kuvendi zor se do të mund të vendoste për shkak të pandemisë.
Disa vende të botës si Italia, Turqia e Irani kanë liruar përkohësisht mijëra të burgosur.
(Kosova Sot Online)