Fshati indian i pajis banorët me 10,000 çadra për ta mbajtur distancën fizike

  • 27 April 2020 - 15:42
Fshati indian i pajis banorët me 10,000 çadra për ta mbajtur distancën fizike

Në një fshat në rajonin Kerala të Indisë janë shpërndarë 10,000 çadra për banorët me qëllim të mbajtjes së distancës fizike mes njëri-tjetrit në kohën e pandemisë.

“Ne shpresojmë që retë e Covid-19 mund të largohen së shpejti, por gjatë verës dhe ditëve në vazhdim ta mbajmë distancën sociale përmes hapjes së një çadre”, tha PS Jyothi, kryetar i këshillit të fshatit Thannermukkom.

Ideja është që të qëndrojmë pranë njëri-tjetrit me çadër të hapur për ta mbajtur largësinë prej së paku një metri, shtoi Jyothi. Përpos çadrave, banorët e këtij fshati do t’i marrin edhe nga dy maska.

Grupet e grave do t’i qepin 100,000 maska pas mobilizimit të grupeve të komunitetit. Ky rajon i ka përdorur disa metoda inovative për ta luftuar përhapjen e koronavirusit, shkruan “CNN”, transmeton Gazeta Express.

Një robot po përdoret në një spital në Kerala për të shpërndarë pajisje mjekësore dhe ushqim për pacientët që ndodhen në izolim në mënyrë që të pakësohet kontakti me ta.

Kerala ishte rajoni i parë në Indi që raportoi raste të koronavirusit. Deri më tani, atje janë regjistruar 458 persona të infektuar dhe katër viktima. Në përgjithësi, India i ka shënuar mbi 27 mijë raste të infektimeve dhe 872 të vdekur.

(Kosova Sot Online)