Aleksander Vuçiq: Për problemin me Kosovën s’kemi as dialog, as ide e as ndonjë zgjidhje

  • 14 May 2020 - 12:17
Aleksander Vuçiq: Për problemin me Kosovën s’kemi as dialog, as ide e as ndonjë zgjidhje

Presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksander Vuçiq, sot ka  folur për akuzat që po i bëjnë kundërshtarët e tij politik se do të njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Megjithatë Vuçiq thotë se një akuzë e tillë është e kamotshme dhe se i bëhet çdo vit, por thekson se aktualisht nuk ka kurrfarë dialogu me Kosovën.

Ai shton se s’ka kurrfarë ideje apo zgjidhje për të cilët po diskutohet.

“Për sa i përket Kosovës, ne nuk po bisedojmë me askënd, as nuk ka bisedime, as ka ndonjë ide, dhe as nuk ka ndonjë zgjidhje në tryezë për ndonjë gjë,” ka thënë Vuçiq, shkruan Danas.

Kreu i shtetit serb ka thënë se në vazhdimësi ka promovuar paqen dhe se ka treguar qëndrueshmërinë e politikës serbe sa herë ka qenë e nevojshme në raport me çështjen e Kosovës.

Vuçiq ka thënë se kundërshtarë te tij politik që nga viti 2012 e akuzojnë se do ta njohë pavarësinë e Kosovës, por thotë se tashmë është mësuar me një akuzë të tillë.

Derisa ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës serbe se është duke nxituar për të mbajtur zgjedhjet e reja. Vuçiq thotë se kanë kaluar katër vjet nga zgjedhjet e fundit dhe se zgjedhjet që do të mbahen janë të rregullta.

(Kosova Sot Online)