Shkon në mbi 380,000 numri global i viktimave të koronavirusit

  • 03 June 2020 - 09:06
Shkon në mbi 380,000 numri global i viktimave të koronavirusit

Sipas të dhënave të Universitetit “Johns Hopkins”, numri i përgjithshëm i të vdekurve nga koronavirusi në mbarë botën ka shkuar në mbi 380,000.

Ndërkohë numri i personave të infektuar në planet ka shkuar në gati 6.4 milionë, më saktësisht në 6,378,239, shkruan “Reuters”.

Brazili, me 31,199 të vdekur, është afër që t’ia kalojë Italisë në listën e shteteve me më së shumti viktima në botë. Në vendin evropian deri më tani janë regjistruar 33,530 raste fatale.

Megjithatë, presidenti brazilian i së djathtës ekstreme, Jair Bolsonaro, i cili e ka cilësuar koronavirusin si një grip të vogël, përsëri e ka injoruar pandeminë të martën.

“Më vjen keq për secilën vdekje, por ky është fati i caktuar i secilit”, u tha Bolsonaro përkrahësve të tij para pallatit presidencial në kryeqytetin brazilian, Brazilia.

Dhjetë shtetet me më së shumti të infektuar janë: Shtetet e Bashkuara, Brazili, Rusia, Britania e Madhe, Spanja, Italia, India, Franca, Gjermania dhe Peruja.

(Kosova Sot Online)