Britaniku shpëtohet i gjallë pas gjashtë ditësh ngujimi në bunar

  • 08 June 2020 - 08:54
 Britaniku shpëtohet i gjallë pas gjashtë ditësh ngujimi në bunar

Një burrë britanik, i cili kishte rënë në një bunar në ishullin indonezian të Balit, është shpëtuar pas gjashtë ditësh qëndrimi aty.

Jacob Roberts, 29 vjeç, pësoi thyerje të këmbës pasi ra në bunarin katër metra të thellë në fshatin Pecatu pasi ndiqej nga një qen, citohen të kenë thënë autoritetet lokale.

Për fat të mirë, bunari nuk kishte shumë ujë, por ai nuk arriti të dilte nga gropa për shkak të këmbës së thyer. Dëshmitarët thanë se në pus kishte pak ujë, që besohet se ia mundësoi mbijetesën britanikut.

Thirrjet e tij për ndihmë më në fund u dëgjuan nga një banor lokal, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Banori ishte duke kërkuar ushqim për kafshë në atë zonë, që ishte pjesë e izoluar e fshatit. Pasi e gjeti burrin e rënë në bunari, ai i njoftoi autoritetet lokale.

Fshati ku u ngujua britaniku është afër pikës së famshme turistike, Nusa Dua. Nuk është e qartë nëse ai është banor në Bali apo turist.

Bali ka qenë i izoluar për muaj të tërë për shkak të pandemisë, ndonëse disa vende kanë filluar të rihapen me kujdes.

(Kosova Sot Online)