India i kthen në izolim 15 milionë banorë për shkak të përhapjes së virusit

  • 15 June 2020 - 15:39
 India i kthen në izolim 15 milionë banorë për shkak të përhapjes së virusit

Zyrtarët shtetërorë indianë kanë thënë se 15 milionë banorë në Chennai dhe në distriktet përreth tij do të kthehen në karantinë nga dita e premte për shkak të rritjes së numrit të rasteve të koronavirusit.

“Izolim i plotë nga data 19 për distriktet Chennai, Thiruvallur, Chengalpet dhe Kanchipuram”, shkroi qeveria e rajonit Tamil Nadu në Twitter, shkruan “The Guardian”. Masat e reja do të mbeten në fuqi deri në fund të qershorit.

India, shtet me popullsi prej 1.3 miliard banorësh, i ka lehtësuar në mënyrë graduale masat e izolimit në javët e kaluara, pavarësisht përhapjes së vazhdueshme të virusit.

Tamil Nadu është rajoni i dytë më i prekur nga virusi në Indi pas Maharashtra-s. Deri më tani, në këtë rajon janë regjistruar më shumë se 44,000 persona të infektuar me Covid-19 nga 332,424 sa janë në tërë Indinë.

Gjatë ditëve sa do të vlejë vendimi i ri, restorantet dhe dyqanet e prodhimeve joesenciale kanë të drejtë të punojnë nga mëngjesi deri në orën 2 të pasdites. Vendimi u mor pas rekomandimeve të një paneli të ekspertëve, të cilët diskutuan për parandalimin e përhapjes së sëmundjes.

Në disa qytete të mëdha indiane, përfshirë kryeqytetin New Delh dhe qendrën financiare Mumbai, është raportuar se spitalet po përballen me mungesë të shtretërve për pacientët me koronavirus për shkak të numrit të madh të rasteve.

(Kosova Sot Online)