Vetëvendosje: Mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë është cenim i sovranitetit shtetëror

  • E.K /
  • 20 June 2020 - 17:31
 Vetëvendosje: Mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë është cenim i sovranitetit shtetëror

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pasi nesër në Kosovë do të mbahen zgjedhjet e Serbisë në disa zona me shumicë serbe.

Sipas LVV-së, mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë duke e trajtuar Kosovën edhe efektivisht si pjesë të saj, është cenim i integritetit dhe sovranitetit shtetëror.

“Serbët e Kosovës me 21 qershor nuk do të votojnë si votues jashtë vendit me shtetësi të dyfishtë duke votuar përmes postës apo në Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë, por si shtetas brenda Serbisë dhe në qendra të votimit të hapura nga autoritet serbe nëpër komunat e Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e LVV-së.

LVV thotë se me lejimin e këtyre zgjedhjeve, po përligjen dhe legjitimohen pretendimet e Serbisë.

“Qeveria e paligjshme dhe jolegjitime është strukur përballë ndërhyrjeve të Serbisë. Me lejimin e këtyre zgjedhjeve, po përligjen dhe legjitimohen pretendimet e Serbisë. Pas heqjes së masave të reciprocitetit dhe heqjes dorë nga anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare, kjo Qeveri brenda pak ditësh ka dorëzuar gjithçka që ka të bëjë me mbrojtjen e interesave shtetërore dhe integritetin e shtetit të Kosovës”, thuhet në reagim.

“Kjo mënyrë e votimit, kur një shtet hapë vendvotime në territorin e një shteti tjetër është e pashembullt. Votues serbë ka edhe në vende tjera të rajonit, por Serbia askund tjetër nuk mund të hapë qendra të votimit, madje as në “ Republika Srpska’”, thotë LVV më tej.

Zgjedhjet e Serbisë do të mbahen nesër në disa zona me shumicë serbe edhe në Kosovë, përkundër faktit se zgjedhjet nuk po mbahen në Komunën e Podujevës dhe Mitrovicës së Veriut, me arsyetimin e institucioneve për shkak të pandemisë.

(Kosova Sot Online)