Pamje të trishtueshme: Gjenocidi i Srebrenicës, si sot 25 vjet më parë

  • S.A /
  • 11 July 2020 - 09:35
Pamje të trishtueshme: Gjenocidi i Srebrenicës, si sot 25 vjet më parë

Duke filluar nga pranvera e vitit 1992, Bosnja e Hercegovina ishte në luftë – pjesë e ndarjes së përgjakshme të ish-Jugosllavisë, kryesisht në vija etnike.

Në mars të vitit 1992, luftëtarët kroatë dhe boshnjakë vranë dhjetëra civilë në fshatin serb, Sijekovac. Kjo ishte masakra e parë e konfliktit, që më vonë do të bëhej më i përgjakshmi në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Pasi forcat serbe të Bosnjës morën kontrollin në pjesën më të madhe të vendit, Srebrenica, afër kufirit me Serbinë, u bë qendër strehimi për civilët myslimanë, të cilët kishin ikur nga zonat e kontrolluara nga serbët, dhe bazë për luftëtarët e Armatës Boshnjake, shkruan “Free Europe”. Kombet e Bashkuara e kishin shpallur Srebrenicën zonë të sigurtë dhe forcat serbe ishin zotuar se nuk do ta sulmonin enklavën, me kusht që luftëtarët boshnjakë t’i dorëzonin armët. Megjithatë, në fillim të korrikut, serbët e nisën një sulm në Srebrenicë. Luftëtarët boshnjakë kërkuan që t’u kthehen armët, por paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara e refuzuan këtë kërkesë. Ndërkohë forcat serbe avanconin në qytet. Më 10 korrik, një komandant holandez i OKB-së në Srebrenicë kishte kërkuar që sulmi serb të ndërpritej nga sulmet ajrore, por atij i ishte thënë se e ka mbushur një dokument të gabuar. Derisa ai e plotësoi dokumentin e duhur, aeroplanët kishin mbetur me pak karburant dhe u kthyen në bazën e tyre në Itali.

Më 11 korrik, trupat e OKB-së u dëbuan nga forcat serbe, të cilat po avanconin në Srebrenicë. Mladiqi kishte deklaruar: “Më në fund ka ardhur momenti për ne që të marrim hak ndaj turqve në këtë zonë.”

Sipas Institutit për Personat e Zhdukur të Bosnjës, mbi 8,000 persona u vranë në masakrën e Srebrenicës. Deri më tani janë gjetur, janë identifikuar dhe janë rivarrosur mbetjet e rreth 7 mijë prej tyre.

(Kosova Sot Online )