Hoti raporton sot para deputetëve lidhur me takimin me Vuçiqin në Bruksel

  • E.K /
  • 24 July 2020 - 08:13
Hoti raporton sot para deputetëve lidhur me takimin me Vuçiqin në Bruksel

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish sot për të vazhduar seancën lidhur me gjendjen në Telekomin e Kosovës.

Përmes një njoftimi drejtuar mediave, Zyra për Media e Kuvendit ka bërë me dije se seanca do të nisë në orën 10:00 dhe se në të bëhet votimi i rezolutës nga debati parlamentar për situatën financiare të Telekomit të Kosovës.

“Votimi i rezolutës nga debati parlamentar për situatën financiare të Telekomit të Kosovës, pas lejimit të përmbarimit të Vendimit Përfundimtar OEN nr. 20990/MHM, të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit pranë Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Paris”, thuhet në njoftim.

Gjatë kësaj seance do të mbahet edhe debat parlamentar për të drejtat e pensionistëve kontributdhënës.

Ndërkohë, me fillim nga ora 12:00 do të ketë edhe një seancë tjetër plenare, ku do të raportojë kryeministri Avdullah Hoti lidhur me takimin e tij në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

“Informatë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti lidhur me dialogun Kosovë-Serbi”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, Hoti e Vuçiq u takuan në Bruksel javën e kaluar. Ky ishte takimi i parë i drejtpërdrejtë i përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut të Brukselit, pas më se 20 muajsh.

Dialogu në Bruksel filloi në mars të vitit 2011. Ideja ka qenë të diskutohen çështjet teknike që do ta bënin më të lehtë jetën e përditshme për qytetarët e Kosovës dhe ata të Serbisë.

Në tetor të vitit 2012, procesi kaloi në nivelin politik.

Dialogu është ndërprerë në fund të vitit 2018, për shkak të një takse që u ka vënë Qeveria e atëhershme e Kosovës prodhimeve të importuara nga Serbia.

Taksa më vonë është zëvendësuar me masa reciprociteti, por këto të fundit janë hequr me ardhjen e Hotit në pushtet, për të mundësuar, siç është thënë, vazhdimin e dialogut.

(Kosova Sot Online)