Nuk ndalet kanabisi: arrestohen burrë e grua, zbulohet edhe serë brenda një shtëpie

  • E.K /
  • 24 July 2020 - 11:50
Nuk ndalet kanabisi: arrestohen burrë e grua, zbulohet edhe serë brenda një shtëpie

Tentativat për mbjelljen e kanabisit në fshatrat e Fierit nuk ndalen, pavarësisht operacioneve dhe kontrolleve të Policisë në tokat pyjore, tokat e bukës, oborre dhe deri brenda nëpër shtëpira.

Kanë rrezikuar në këtë biznes kriminal, edhë burrë e grua nga fshati Zharrëz i Patosit mbi 60 vjeç të dy, por janë arrestuar.

Policia e Fierit njoftoi se arrestoi bashkëshortët Xh.M, 61 vjeç dhe L.M, 60 vjeçe, banorë të fshatit Zharrëz në Patos.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tyre u gjetën 18 kg kanabis dhe rreth 82 gr. fara kanabis ndërsa gjatë kontrollit në pronën e tyre, pranë banesës, u gjetën të kultivuara bimë kanabisi, të cilat u asgjësuan.

Por, po gjatë këtij operacioni u arrestua në flagrancë edhe S. Rr, 35 vjeç, banues në Vlosh të Roskovecit. Arrestimi i tij u bë pasi gjatë kontrollit në shtëpi dhe në ambientet përreth saj, Policia gjeti 8 kg kanabis.

Gjithashtu, brenda shtëpisë është konstatuar një ambient i përshtatur me llamba dhe pajisje të tjera të cilat dyshohet se do të përdoreshin për të kultivuar bimë narkotike.

Dosjet e tyre do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale "prodhim dhe shitje e narkotikëve" dhe "kultivim i bimëve narkotike" në ngarkim të bashkëshortëve Xh.M dhe L.M dhe,  për "prodhim dhe shitje të narkotikëve" në ngarkim të shtetasit S. Rr.

(Kosova Sot Onlline)