Deputetja tregon se a ka çarje mes LDK-së dhe AAK-së

  • 25 July 2020 - 08:37
Deputetja tregon se a ka çarje mes LDK-së dhe AAK-së

Deputetja e AAK-së, Time Kadriaj, tha se mosmarrëveshjen e parë që e kishte partia e saj me partnerin e koalicionit, LDK-në, e bëri publike dhe paralajmëroi se po pati të tjera nuk do të ngurojnë ta bëjnë prapë.

Por, ajo mendon se kryeministri Avdullah Hoti nuk do ta bëjë, sipas saj, gabimin që bëri koalicioni qeverisës paraardhës VV-LDK për mosrespektim të njëri-tjetrit.

Kadriaj tha se AAK dhe të gjithë partnerët e koalicionit, e madje edhe opozita, duhet të kenë përfaqësuesit e tyre në tryezën e dialogut.

“Hoti e ka të qartë që duhet t’i trajtojë të barabartë partnerët e koalicionit. Ne i besojmë atij nëse i përfshinë të gjithë partnerët e koalicion sepse pa një proces të drejtë, transparent dhe llogaridhënës s’mund të vazhdohet më tutje”.

“Haradianj ka qenë kundërshtues i devijimit të dialogut edhe kur në koalicion kishte PDK-në. Në cilëndo situatë, qoftë pozitë apo opozitë, Haradinaj s’luan me fatin e Kosovës. Çarja ose ndarja e koalicionit mes LDK-së dhe VV-së ndodhi për shkak të moskomunikimit të drejtë. Edhe ne si AAK kërkojmë bashkëpunim të mirëfilltë dhe nuk e mendoj që Hoti do ta përsëritë gabimin që është bërë më herët”.

Kadriaj tha se dy liderët e partive në koalicion kanë komunikime të rregullta derisa thotë se kjo qeveri do të ketë jetë të gjatë derisa ka bashkëpunim të mirë dhe respekt të ndërsjellë”.

Ndërkaq, për seancën e djeshme ku shefi i Qeverisë kishte obligim të raportonte para deputetëve, për Kadriajn ishte mjaftueshëm transparent.

“Ne duhet të informohemi saktë se çka ka ndodhur në Bruksel sepse Qeveria e ka për obligim të vjen dhe të raportojë në Kuvend. I kishim disa paqartësi që deputetët i kanë treguar. Raportimi e arrin efektin e vet sepse në këtë formë dhe me një debat të tillë do ta mbajmë Qeverinë dhe kryeministrin të përgjegjshëm për procesin e dialogut se çka duhet biseduar dhe çka jo. Ky ishte qëllimi që Qeveria të mësojë nga këto praktika që më të mos i shohim disa tema që mendoj se kanë përfunduar”.

“Kryeministri është i detyruar që t’i merr parasysh ato që fliten në Kuvend sepse s’ka zgjidhje tjetër qoftë nga partnerët e koalicionit qoftë nga opozita. Qeveria është në llupën e deputetëve sepse ne s’kemi proces më të rëndësishëm sesa dialogun”, ka thënë ajo.

Kadriaj tha se është shqetësuese lënia anash e SHBA-së në këtë proces dhe se ndihen të sigurt që marrëveshja do të përfundojë në të mirë të Kosovës – vetëm kur partneri amerikan është aty.

(Kosova Sot Online )