Ambasadori i ri gjerman ia nis punës me ndihma për Kosovën kundër Covid 19

  • S.A /
  • 03 August 2020 - 13:05
Ambasadori i ri gjerman ia nis punës me ndihma për Kosovën kundër Covid 19

Ambasadori gjerman  i sapoardhur në Prishtinës, Jorn Rohde, ka ndarë donacionin e radhës të shtetit gjerman dhënë Ministrisë së Shendëtësisë në Kosovë.

Donacionin e ka marrë ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ndërsa Ministria njofton se bëhet fjalë për 17 mijë maska respirator, mijëra pako me dorëza dhe mijëra litra dezinfektues.

Gjermania i ka ndarë ndihma Kosovës disa herë përgjatë pandemisë. Për këtë, ministri Zemaj e ka falënderuar ambasadorin Rohde, thuhet në njoftim.

Kumtesa e plotë e Ministrisë:

Ministri Zemaj dhe Ambasadori gjerman Rohde marrin pjesë në dorëzimin e donacionit me mjete mbrojtëse kundër Covid-19

Prishtinë, 03. 08. 2020

Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj dhe Ambasadori i ri i Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, z. Jorn Rohde morën pjesë sot në ceremoninë e dorëzimit në IKSHPK të një kontingjenti të pajisjeve mbrojtëse personale profesionale, dedikuar SHSKUK-së dhe institucioneve shëndetësore si përgjigje kundër Covid-19.

Kontigjenti që përmban 17 000 maska respirator FFP2 (EN 149)/N95 (NIOSH), 5500 pako me dorëza nitrile të madhësive të ndryshme dhe 3700 litrave me dezinfektues, është financuar nga autoritetet e shtetit të Gjermanisë.

Ministri Zemaj vlerësoi lart kontributin e shtetit të Gjermanisë dhe të vet BE-së në asistencën dhënë Kosovë për luftimin e Covid-19, teksa theksoi se MSh dhe profesionistët shëndetësor të Kosovës janë mirënjohës për këtë përkrahje të cilën do ta manifestojnë me angazhim konkret kundër Covid-19.

Ambasadori Rohde tha se ky është një kontribut nga shteti gjerman për popullin e Kosovës dhe profesionistët shëndetësor, ndërkohë që këshilloi qytetarët që t’u përmbahen udhëzimeve dhe të zbatojnë masat e Qeverisë për t’u mbrojtur nga Covid-19.

(Kosova Sot Online )