Në Kosovë kërkohen për vrasjen e Oliverit, Veselinoviq dhe Radoiçiq në Serbi po ndreqin rrugë

  • A.P /
  • 19 August 2020 - 23:18
Në Kosovë kërkohen për vrasjen e Oliverit, Veselinoviq dhe Radoiçiq në Serbi po ndreqin rrugë

Materiali për rregullimin e disa rrugëve të kryeqytetit të Serbisë është siguruar nga një kompani që është pjesërisht në pronësi të Zvonko Veselinoviqit dhe Milan Radoiçiqit, dy serbëve të Kosovës që kërkohen për vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq, në Mitrovicën e Veriut, në janarin e vitit 2018.

Kështu ka raportuar të mërkurën rrjeti për hetimin e krimit dhe korrupsionit në Serbi, KRIK, i cili ka zbuluar se kompania “Granit-pescar” do t’i ndreqë disa rrugë në qendër të Beogradit.

Kompania e sipërpërmendur është një prej kompanive me më së shumti taksa të papaguara në Serbi, raporton KRIK, duke shtuar se në fund të vitit 2019, ajo i ka pasur borxh shtetit më shumë se pesë milionë euro, duke u renditur e gjashta në listën e borxhlinjve.

Reporterët e KRIK’ut kanë parë materialin për rregullimin e rrugëve në qendër të Beogradit, të cilat bartnin vulat e kompanisë me qendër në qytetin perëndimor serb të Ljigut.

Veselinoviq e Radoiçiq, biznesmenë nga veriu i Kosovës, i populluar kryesisht me serbë, kontrollojnë 25 për qind të aksioneve në kompani nëpërmjet firmës “Inkop” nga Çuprija, një qytet në pjesën qendrore të Serbisë.

KRIK ka raportuar se nuk dihet se kush e ka angazhuar kompaninë “Granit-pescar” për t’u përfshirë në rregullimin e rrugëve të Beogradit.

(Kosova Sot Online)