Palestinezët i djegin fotografitë e Trumpit dhe liderëve të Izraelit e Bahrejnit

  • A.P /
  • 13 September 2020 - 09:34
Palestinezët i djegin fotografitë e Trumpit dhe liderëve të Izraelit e Bahrejnit

Palestinezët në Gaza i kanë djegur fotografitë e presidentit amerikan, Donald Trump, dhe të liderëve të Izraelit e Bahrejnit në shenjë proteste ndaj marrëveshjeve të vendeve të Gadishullit Arabik për normalizim të raporteve me Izraelin.

Të premten, Bahrejni iu bashkua Emirateve të Bashkuara Arabe për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin. Ky vendim u bë me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara dhe besohet se është i motivuar nga frika e përbashkët prej Iranit.

Protesta e mbajtur në Gaza, ku morën pjesë disa dhjetëra persona, u organizua nga grupi islamik në pushtet, Hamas, shkruan Reuters.

“Ne duhet ta luftojmë virusin e normalizimit dhe t’i bllokojmë të gjitha rrugët e tij para se të arrijë sukses, që t’ia parandalojmë përhapjen”, tha Maher al-Holy, zyrtar i këtij grupi.

Protestuesit ua vunë flakën fotografive të kreut të Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, kryeministrit të Izraelit, Benjamim Netanyahu, mbretit të Bahrejnit, Hamad bin Isa Al Khalifa, dhe princit të Abu Dabit, Sheik Mohammed bin Zayed al-Nayan.

Përderisa Shtetet e Bashkuara, Izraeli, Emiratet e Bashkuara dhe Bahrejni e cilësojnë normalizimin e raporteve si hap të rëndësishëm drejt paqes dhe stabilitetit në Lindjen e Mesme, palestinezët e vlerësojnë këtë veprim si tradhti të shteteve arabe ndaj Palestinës.


(Kosova Sot Online)