Vrau gruan dhe vajzën nëntë vjeçare, historiku i gjykimit të Pjetër Ndrecajt

  • A.P /
  • 14 September 2020 - 17:11
Vrau gruan dhe vajzën nëntë vjeçare, historiku i gjykimit të Pjetër Ndrecajt

Pjetër Ndrecaj, i akuzuar për vrasjen e gruas dhe vajzës në gusht të vitit 2018, është dënuar sot me 24 vjet e gjashtë muaj burgim nga Gjykata Themelore e Gjakovës. Ky është vendimi i dytë i për këtë rast pasi një vendim i vitit të kaluar për burgim të përjetshëm ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata Supreme.

Mbrëmjen e shtatë gushtit të para dy vjetëve, një ngjarje e rëndë kishte ndodhur në fshatin Brekovc të Gjakovës. Vrasja e dyfishtë që u krye atë natë në korridorin e shtëpisë së familjes Marku, do të trondiste gjithë vendin.

Dhëndri i kësaj familje, Pjetër Ndrecaj, kishte shtënë me kallash në drejtim të bashkëshortes së tij, Valbonës dhe vajzës së tij nëntë vjeçare, duke i lënë të vdekura në vend. Vrasjes së dyfishtë dyshohet t’i ketë paraprirë një konflikt i mëhershëm mes çiftit.

Çifti kishin 16 vjet martesë, por pas një konflikti ishin ndarë, ani pse nuk ishin divorcuar ligjërisht.  Ata kishin pesë fëmijë, tre prej të cilëve jetonin me Valbonën, e dy të tjerët jetonin me Pjetrin.

E se diçka e tillë do të mund të ndodhte, ishte paralajmëruar edhe Policia e Kosovës, meqenëse ishte kërcënuar nga ish-burri disa herë. Një mesazh kërcënues asaj i kishte ardhur edhe pak para se të vritej, të cilin e kishte raportuar edhe në polici. “Do të të gjej… do të ta bëj…”, kishte qenë mesazhi që Pjetri ia kishte dërguar Valbonës në telefon.

Policia e kishte hapur këtë rast si “kanosje”, por nuk kishte arritur të parandalonte tragjedinë.

Se e kishte kryer krimin, 40-vjeçari e kishte pranuar edhe para gjykatës, duke shtuar se gjithçka kishte ndodhur aksidentalisht, e për të njëjtën vepër ishte penduar.

“Edhe pse vajzën e kam vrarë aksidentalisht, si do që të jetë unë e pranoj fajësinë sepse jam penduar”, kishte thënë Ndrecaj në seancën e shqyrtimit fillestar që ishte mbajtur më 31 tetor të vitit 2018.

Tri ditë pas pranimit të fajësisë, Gjykata Themelore në Gjakovë e kishte shpallur fajtor Ndrecajn për vrasjen e dyfishtë, duke e dënuar me 23 vite burgim për vrasje dhe 2 vite për armëmbajtje pa leje, ku i llogaritej edhe koha që e kishte kaluar në paraburgim.

Dënimi për aktin makabër u komentua shumë, e për të njëjtin rast u organizuan disa herë protesta që bënin thirrje për ndryshim të masës në burgim të përjetshëm, duke llogaritur vrasjen si një nga më të rëndat që ka ndodhur viteve të fundit.

Ndaj këtij vendimi, kishin bërë ankesë të gjitha palët, përderisa Prokurori i Shtetit dhe pala e dëmtuar kishin kërkuar burgim të përjetshëm, mbrojtja kishte kërkuar një dënim më të butë.

Por, më 1 mars 2019, Gjykata e Apelit, kishte njoftuar se kishte ndryshuar vendimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë dhe Ndrecajn e kishte dënuar me burgim të përjetshëm.

Në komunikatën e Gjykatës së Apelit thuhej se veprimet e të akuzuarit Ndrecaj janë ri cilësuar si “vrasje e rëndë” nga neni 179, paragrafi 1, nën-paragrafi 1.11., i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), dhe ndaj tij është shqiptuar dënimi me burg të përjetshëm.

Sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë, nuk i ka vlerësuar në mënyrë të drejtë rrethanat rënduese, e ato posaçërisht rënduese dhe se këto rrethana mbizotërojnë shumëfish më tepër se ato lehtësuese.

Mirëpo, më pas Gjykata Supreme e Kosovës e ka kthyer rastin në rigjykim, duke prishur kështu vendimet e Gjykatës Themelore në Gjakovë dhe asaj të Apelit.

Kolegji i Gjykatës Supreme, kishte gjetur se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se gjykata e shkallës së dytë, në pranimin e këtyre defekteve, në procedurën e pranimit të fajësisë, ka qenë e detyruar që aktgjykimin ta shqyrtojë dhe ta anulojë atë, e jo të kalojë mbi këtë shkelje, e cila është e pranishme dhe që kushtëzon cilësimin juridik, ngase mund të bëhet fjalë për vrasje të rëndë nga neni 179 par.1 nënp.1.11.të KPK-ës, vetëm nëse dy e më shumë vrasje janë kryer me dashje.

E ndonëse në seancën fillestare që ishte mbajtur në tetor të 2018’ës, Ndrecaj e kishte pranuar fajësinë, në seancën e parë pas kthimit të rastit në rigjykim, ai është deklaruar i pafajshëm.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ali Uka, i akuzuari kishte mohuar fajësinë për veprën penale të vrasjes së rëndë,  por vetëm për  armëmbajtje pa leje.

“Jo, unë nuk e pranoj fajësinë, nuk kam shku me vra me dashje”, kishte deklaruar Ndrecaj.

Sipas tij, fajtor për atë se çfarë ka ndodhur është vëllau i Valbonës, Shkëlzeni.

 “Shkëlzeni mi past në qaf familjen”, kishte thënë Ndrecaj në Gjykatë.

Ndrecaj ka dalur edhe sot para Gjykatës Themelore në Gjakovë, ku për herë të dytë iu shqiptua dënimi për ngjarjen e vitit 2018.

Sot, trupi gjykues në krye me Gëzim Pozhegun si kryetar dha dënim unik me burgim prej 24 vjetësh e 6 muajsh, dënim ky më i ulët se ai që i ishte dhënë  nga Gjykata e Apelit para se rasti të kthehej në rigjykim.

“I akuzuari P.N. është shpallur fajtor dhe i është shqiptuar dënim unik me burg për dy veprat penale në kohëzgjatje prej njëzet e katër (24) vjet e gjashtë (6) muaj, në të cilin dënim do ti llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 07 gusht 2018”, ka njoftuar Gjykata.

Në njoftim thuhet edhe se ai është obliguar që të paguaj shpenzimet procedurale në shumën prej dyqind euro, shpenzimet e paushallit gjyqësorë në shumën prej dyqind euro si dhe shumën prej pesëdhjete euro, në emër të kompensimit të viktimave të krimit në afat prej pesëmbëdhjetë ditëve pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Pas uljes së dënimit për Ndrecajn, ka reaguar edhe Rrjeti i Grave të Kosovës. Në këtë organizatë thonë se e kanë pranuar me shqetësim vendimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë.

“Kujtojmë se qëllimi i sanksionit është rehabilitimi i kryerësit të veprës si dhe krijimi i vetëdijes publike që personat që kryejnë vepra të tilla ndëshkohen. Ulja e dënimit ndaj Ndrecajt, jo vetëm që nuk do ta rehabilitojë atë, por do të shërbejë si motiv për të tjerët që të kryejnë vepra të ngjashme.

Besojmë fuqishëm që Prokuroria do të ushtrojë ankesë dhe se Gjykata e Apelit do ta ndryshojë këtë aktgjykim për t’i shqiptuar dënim maksimal të pandehurit”, thuhet në reagim.

Për këtë vendim ka reaguar edhe ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duke thënë se është e shokuar me uljen e dënimit.

Sipas saj, aktgjykimi është aq skandaloz dhe tregon se jeta e gruas e fëmijëve nuk është e vlefshme për institicionet e drejtësisë.

“Ky aktgjykim është padrejtësia e radhës ndaj grave. Ky aktgjykim është aq skandaloz sa tregon se jeta e gruas e fëmijëve nuk është e vlefshme për institucionet e drejtësisë. Në vend se institucionet e drejtësisë të jenë vendi ku triumfon drejtësia ato janë shndërruar në zyra për pazare e vendime të turpshme ku amnistohen kriminelët e inkurajohen të tjerë për veprime kriminale!”, ka shkruar Haxhiu.

Media ka provuar të kontaktojë edhe me familjen Marku, që të marrë edhe qëndrimin e tyre për këtë vendim dhe informacione nëse do të ushtrojnë ankesë kundër këtij vendimi, por të njëjtit nuk iu janë përgjigjur thirrjeve të gazetës.

Ndryshe, Pjetër Ndrecaj gjendet në paraburgim nga data 7 gusht 2018, kur edhe e kishte kryer vrasjen e dyfishtë.


(Kosova Sot Online)