Abrashi: Kosova e Serbia në Uashington prezantuan projekte ekonomike, temat politike i hodhi në tavolinë SHBA

  • A.P /
  • 20 September 2020 - 09:13
Abrashi: Kosova e Serbia në Uashington prezantuan projekte ekonomike, temat politike i hodhi në tavolinë SHBA

Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi i cili ka qenë pjesë e delegacionit të Kosovës në Uashington, thotë se takimi ishte historik edhe për faktin se atje Kosova u njoh nga Izraeli.

Ministri i Infrastrukturës thotë qëllimi i Shtëpisë së Bardhë është që të zhvillojë ekonominë në Ballkan në mënyrë që njerëzit më të mos flasin për politikë.


Ai thotë se pala kosovare dhe ajo serbe në SHBA kanë propozuar projekte ekonomike derisa thotë se temat politike në tavolinë janë vendosur nga Amerika.

“Pjesa politike, strategjike dhe ajo që lidhet me siguri u vendosën në tavolinë nga SHBA. Na është kërkuar të ruajmë diskrecionin ashtu siç ndodh zakonisht në këto takime”, tha ai, përcjell Telegrafi.


Abrashi thotë Kosova ka përfituar nga marrëveshja ekonomike në Uashington në disa drejtime.

“Ne me këto projekte ekonomike lidhemi shumë më shpejt me rrugë Evropiane. Ne pos që kemi qasje në këto rrugë do të jemi edhe nyje rajonale”.

Ministri i Infrastrukturës thotë se me autostrada përfiton edhe Serbia pasi del në Adriatik, por sipas tij përfitues më i madh do të jetë Kosova.

“Serbia e ka infrastrukturën shumë të zhvilluar. Tash lojtarë rajonal me këto marrëveshje bëhemi ne”.

Abrashi thotë se vetëm një javë pas marrëveshjes, Kosova ka pranuar letra nga organizata financiare të Amerikës për financimin e autostradave.

“Shpresojmë se së shpejti do të vijnë edhe letra tjera për mbështetjen e projekteve financiare”, tha ndër të tjera Arban Abrashi

(Kosova Sot Online)