Anglezët që s’e respektojnë urdhrin për vetizolim do të dënohen deri në 10,000 funte

  • A.P /
  • 20 September 2020 - 09:44
Anglezët që s’e respektojnë urdhrin për vetizolim do të dënohen deri në 10,000 funte

Njerëzit në Angli që e refuzojnë urdhrin për vetizolim mund të ndëshkohen me gjobë deri në 10,000 funte, njoftoi qeveria.

Sipas rregullave të reja ligjore, njerëzit duhet të vetizolohen, nëse dalin pozitivë në testin për koronavirus ose nëse cilësohen si kontakt i ngushtë i ndonjë personi të infektuar. Kjo masë do të hyjë në fuqi nga 28 shtatori.

Gjobat do të fillojnë nga 1,000 funte dhe mund të shkojnë deri në 10,000 funte për ata që bëjnë shkelje të përsëritura. Deri më tani, këshilla për vetizolim ka qenë vetëm udhëzim, por jo urdhër i detyrueshëm.

Në mesin e masave të reja përfshihet edhe një ndihmë mbështetëse prej 500 funteve për ata që kanë të ardhura më të ulëta si dhe ndëshkimi për punëdhënësit që i dënojnë punëtorët që janë urdhëruar të vetizolohen.

Kryeministri britanik po e shqyrton mundësinë e shtrëngimit të masave pas rritjes së numrit të rasteve të reja të koronavirusit, shkruan BBC

Të shtunën u regjistruan 4,422 raste të infektimeve dhe 27 viktima. Në Skoci u shënuan 350 raste të reja, që është shifra më e lartë nga maji, 212 raste në Uells dhe 222 në Irlandën Veriore.

(Kosova Sot Online)