Presidenti Trump beson se do ta marrë Nobelin pasi arriti marrëveshje historike Kosovë-Serbi

  • A.P /
  • 20 September 2020 - 12:41
Presidenti Trump beson se do ta marrë Nobelin pasi arriti marrëveshje historike Kosovë-Serbi

Njeriu me i fuqishëm i botës, Donald Trump, po beson se do ta marrë Çmimin Nobel për Paqe shkaku se arriti t’i detyrojë Kosovën dhe Serbinë të nënshkruajnë marrëveshje për normalizim ekonomik. Trump në këtë marrëveshje e siguroii edhe njohjen e Izraelit për Kosovën.

Gjatë një tubimi zgjedhor në Karolinën Veriore, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se mund të kualifikohet për Çmimin Nobel për Paqe, për të cilin në fakt u nominua këtë vit, për ndërmjetësimin në marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, pasi, sipas tij, i ndali vrasjen masive mes Kosovës dhe Serbisë.

“Tregimi tjetër, jam i sigurt se do të jetë një Çmim Nobel për Paqe. Ne po i ndalim vrasjet masive mes Kosovës dhe Serbisë. Ata e kanë vrarë njëri-tjetrin për shumë vjet. Ata do t’i ndalin vrasjet”, tha Trump.

“E dini, ata e kanë bërë këtë (vrasjen) për qindra vjet qartazi nën emra të ndryshëm”, shtoi ai.

Deklaratën e tij mund ta dëgjoni nga minuta e 45-të.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë më herët këtë muaj u nominua për Çmimin Nobel nga një deputet norvegjez për përpjekjet e tij në arritjen e marrëveshjeve ndërkombëtare mes vendeve që nuk kanë raporte të mira mes vete, përfshirë marrëveshjen mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

Në fillim të shtatorit, Trumpi priti në takim kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, ku të dyja palët nënshkruan një marrëveshje.

(Kosova Sot Online)