Dikush në Vetëvendosje thotë se nuk kanë hequr dorë nga bashkimi kombëtar

  • A.P /
  • 20 shtator 2020 - 15:30
Dikush në Vetëvendosje thotë se nuk kanë hequr dorë nga bashkimi kombëtar

Albin Kurti, dikur, si opozitar dhe jashtë Parlamentit, përpos se kundërshtonte Pakon e Ahtisaarit, në çdo deklarim publik, zotohej për bashkim kombëtar. Madje, një kohë refuzoi edhe t’i njihte simbolet e Republikës së Kosovës me arsyetimin se ekzistojnë vetëm ato të Shqipërisë.

Kësaj teme i është kthyer njëri prej zyrtarëve të VV’së në Tiranë, Boiken Abazi. Ka shkruar një status në FB, ku ka treguar se Partia e ish-Kryeministrit Kurti, nuk ka hequr dorë nga bashkimi kombëtar pavarësisht se po anëtarësohet nëpër organizata të ndryshme ndërkombëtare.

Së fundmi, partia më e madhe opozitare, u anëtarësua në “Aleancën Progresive”, një organizatë kjo që grumbullon partitë socialdemokrate.

“LVV është pranuar në to pa hequr dorë nga bashkimi kombëtar”, ka shkruar Abazi, në një reagim në Fb.

“Urime të gjithë shqiptarëve!”, ka shtuar ai.

Lëvizja Vetëvendosje kur ishte themeluar kishte dalë kundër simboleve të Kosovës dhe kishte kërkuar bashkim kombëtar përmes një referendumi ku kosovarët do të lejoheshin të vendosin nëse donë bashkim apo funksionim të shtetit të Kosovës.

Mirëpo, kur Albin Kurti erdhi në pushtet, për pak ditë, tha se bashkimi kombëtar është proces i gjatë dhe nuk do të ndodhë njëherë.

Në një intervistë për mediat e Shqipërisë, Kurti kishte thënë se bashkimi me Shqipërinë do të ishte i mundur në fillimvitet e 90’ta kur ishte shpërbë Jugosllavia.

“Ky bashkim të cilin e kemi dëshiruar ka qenë i mundur të bëhej përnjëherë i shqiptarëve atëherë kur u shkatërrua Jugosllavia në 1991-92, po të ishte një konstalacion tjetër në mënyrë metaforike i tri personaliteteve, Sali Berisha, Ibrahim Rugova dhe Ramiz Alia. Nëse do të mund të bëhej bashkimi i shqiptarëve shansi historik ka qenë 1991, 1991, 1992. Shkatërrimi i Jugosllavisë u bë me luftë. Po të ishin Shqipëria dhe Kosova bashkë, në koordinim me mërgatën dhe Bosnjës dhe Kroacinë, ai ka qenë shansi historik i një shteti shqiptar. Sot e kemi shtetin e Kosovës. Duhet të bëjmë hapa të integrimit drejt bashkimit. Kemi përfitues të kësaj gjendje në të dyja anët e kufirit, njerëz që i duan trojet shqiptare si principata të tyre”, kishte deklaruar Kurti në këtë intervistë.

(Kosova Sot Online)