Grenell u përgjigjet kritikave të Vetëvendosjes për marrëveshjen e Uashingtonit

  • A.P /
  • 21 September 2020 - 21:10
Grenell u përgjigjet kritikave të Vetëvendosjes për marrëveshjen e Uashingtonit

I dërguari Special i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi Richard Grenell është shprehur shumë krenar për arritjen e marrëveshjes ekonomike në mes të Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë.

Kritikat i quan me natyrë politike derisa thekson se koha do të tregojë se marrëveshja ishte e duhura.

“Është një kritikë e pavend. Marrëveshja ekziston, zbatimi po fillon. Kjo është ditë e madhe”, tha Grenell pas takimit me kryeministrin Avdullah Hoti.

“Unë e kuptoj që njerëzit politikë dëshirojnë që të jenë politikë dhe të jenë kritikë. Ne jemi super krenarë për këtë marrëveshje dhe me kalimin e muajve dhe viteve do ta shihni që këto nuk janë deklarata boshe”, theksoi ai.

Ndryshe, me marrëveshjen e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, Kosova është pajtuar që brenda një viti të mos kërkojë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, kurse Serbia në anën tjetër, është pajtuar që brenda një viti të ndalë fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

Në bazë të marrëveshjes, Kosova do t’i bashkohet “zonës së mini-Schengenit”, që është krijuar më 2019 dhe ku tashmë marrin pjesë, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Në marrëveshje gjithashtu përmendet edhe Liqeni i Ujmanit, ku thuhet se palët do të punojnë me Departamentin amerikan të Energjisë për një studim fizibiliteti, me qëllim të përdorimit të përbashkët të këtij liqeni, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë.

Thuhet edhe se Kosova dhe Izraeli e pranojnë njëra tjetrën, dhe se Serbia do ta zhvendos ambasadën nga Tel Aviv në Jerusalem.

(Kosova Sot Online)