Trump do të shpallë të shtunën kandidaten për në Gjykatën e Lartë

  • A.P /
  • 22 shtator 2020 - 18:04
Trump do të shpallë të shtunën kandidaten për në Gjykatën e Lartë

Presidenti Donald Trump njoftoi në Twitter se do të shpallë ditën e shtunë nga Shtëpia e Bardhë emrin e kandidates për në Gjykatën e Lartë.

Ai ndërkohë u takua të hënën me një nga pesë gratë që radhiten në listën e tij të kandidatëve për zëvendësimin e Gjykatëses Ruth Bader Ginsburg, sipas burimeve.

Gjykatësja 87-vjeçare, simbol i ideve liberale, vdiq të premten pas një beteje të gjatë me kancerin.

Presidenti Trump tha se do ta shpallë emrin e propozuar prej tij, pasi të jenë kryer shërbimet funerale këtë javë.

Presidenti ka përmendur me emër Amy Coney Barrett, si dhe Barbara Lagoa, ndërsa fliste me gazetarët përpara se të hipte në helikopterin presidencial Marine One në kopshtin jugor të Shtëpisë së Bardhë. Ai nuk konfirmoi se u takua me Barrett.

Amy Coney Barrett

Më vonë gjatë disa komenteve në Dejton, në shtetin Ohio, Presidenti Trump tha se do ta shpallte zgjedhjen e tij ndoshta të shtunën, madje me shumë gjasa edhe një ditë më parë.

“Do të jetë një person brilant”, tha presidenti. “Do të jetë një grua”.

Si Barrett, një katolike 48-vjeçare, ashtu edhe Lagoa, një 52-vjeçare kubano-amerikane nga Florida, janë konservatore të emëruara nga Presidenti Trump në gjykatat federale të apelit gjatë viteve të fundit.

Presidenti u tha gazetarëve se ai mund të takohej me Lagoa më vonë këtë javë kur ai të udhëtojë për në Miami.

“Nuk e njoh, por dëgjoj se është e jashtëzakonshme”, shtoi ai.

Gjykatësja Barbara Lagoa

Emra të tjerë që raportohen të jenë në listën e Presidentit Trump janë gjyqtarja e Gjykatës së Apelit të qarkut të gjashtë, Joan Larsen, gjyqtarja e qarkut të katërt, Allison Jones Rushing, si dhe zëvendës këshilltarja juridike e Shtëpisë së Bardhë, Kate Todd.

Koha e votimit

Presidenti, në komentet e tij të hënën pasdite për gazetarët, i bëri thirrje Senatit të kontrolluar nga Republikanët të votojë për konfirmimin përpara zgjedhjeve të 3 nëntorit.

“Do të preferoja më shumë të kemi një votim para zgjedhjeve”, tha Presidenti Trump. “Kemi kohën e mjaftueshme për ta bërë”.

Ky është një ndryshim nga pozicioni që ai mbajti katër vjet më parë, kur një vend i Gjykatës së Lartë u la i lirë në vitin e fundit të mandatit të dytë të ish-Presidentit Barack Obama.

“Unë mendoj se presidenti i ardhshëm duhet ta bëjë zgjedhjen”, tha ai në vitin 2016.

Ish-Nënpresidenti Joe Biden, i emëruari demokrat që shpreson të parandalojë rizgjedhjen e Presidentit Trump, tha se fituesi në zgjedhjet e nëntorit duhet të bëjë përzgjedhjen e gjykatëses pasi të inaugurohet për një mandat të ri të Shtëpisë së Bardhë në janar.

Presidenti Trump tha të hënën se nuk kishte asnjë shans që demokratët të mos përpiqeshin të plotësonin një vend bosh të Gjykatës së Lartë nëse kontrollonin presidencën dhe Senatin, aktualisht të kontrolluara nga republikanët.

Allison Jones Rushing duke dëshmuar në Komisionin e Senatit për Gjyqësorin

Ginsburg do të prehet në Gjykatën e Lartë të mërkurën dhe të enjten, ndërsa Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi tha se homazhe për Ginsburg do të zhvillohen edhe të premten në godinën e Kongresit.

Përzgjedhja e një tjetër kandidature konservatore nga Presidenti Trump, e treta pas konfirmimit nga Senati të Neil Gorsuch dhe Brett Kavanaugh, do ta zhvendoste balancën aktuale 5 me 4 më tej në favor të konservatorëve në gjykatën e lartë të vendit, në 6 me 3.

Emërimi i ri mund të ndikojë në vendimet mbi abortin e legalizuar në Shtetet e Bashkuara, emigracionin, kujdesin shëndetësor, të drejtat e votës, kufizimet për mbajtjen e armëve, lirinë fetare dhe një varg çështjesh të tjera për mbi një gjeneratë.

‘Dëshira e fundit e Ginsburg’

Përzgjedhja e pritshme nga Presidenti Trump ka prekur një debat të fortë politik në Uashington: a duhet të konsiderohet emërimi para zgjedhjeve apo pas tyre? Emërimi pas zgjedhjeve do t’i lejonte elektoratit amerikan të shprehej duke përcaktuar rezultatin e zgjedhjeve presidenciale, të cilat do të mundësonin fituesit të bënte përzgjedhjen në fillimin e një mandati të ri katër-vjeçar.

Në vitin 2016, republikanët refuzuan të lejonin shqyrtimin e të emëruarit përfundimtar për Gjykatën e Lartë të Presidentit Obama, Merrick Garland, pas vdekjes së Gjykatësit Antonin Scalia në shkurt të atij viti. Ata argumentuan se vendet e lira në Gjykatën e Lartë duhet të lihen të paplotësuara gjatë një viti zgjedhor në mënyrë që populli amerikan të vlerësojë zgjedhjen.

Udhëheqësi i demokratëve në Senat, Chuck Schumer, kritikoi ndryshimin e pozicionit të Partisë Republikane dhe tha se asnjë votim nuk duhet të zhvillohej deri vitin e ardhshëm.

“Kjo ishte dëshira e fundit e Gjykatëses Ginsburg. Dhe kjo mund të jetë shpresa e vetme dhe e fundit e Senatit”, tha Schumer.

(Kosova Sot Online)

Joan Larsen

Presidenti Trump ngriti pikëpyetje nëse Ginsburg vërtet i tha mbesës së saj pak para se të vdiste se ajo shpresonte që vendi i saj të mos plotësohej deri pas zgjedhjeve presidenciale.

“Thjesht më tingëllon si ndonjë tjetër. Mund të jetë, dhe mund të mos jetë gjithashtu. Ishte thjesht tepër e leverdisshme”, u tha presidenti gazetarëve.

2016 përkundër 2020

“Nuk është çudi që amerikanët kanë kaq pak besim tek qeverisja dhe tek ky Senat, të drejtuar nga shumica republikane”, tha Schumer të hënën në sallën e Senatit.

Drejtuesi i shumicës republikane të Senatit Mitch McConnell mbrojti pozicionet e tij si në 2016 dhe 2020, duke thënë se ndryshimi është se katër vjet më parë, parti të ndryshme kontrollonin Senatin dhe Shtëpinë e Bardhë, ndërsa tani e njëjta parti i kontrollon të dyja. Ai tha se precedenti historik ka qenë në anën e tij në të dy rastet.

“Kishte një precedent të qartë pas rezultatit të parashikueshëm që doli nga viti 2016. Dhe ka një precedent edhe më dërrmues pas faktit se ky Senat do të votojë për këtë emërim këtë vit”, tha McConnell.

Senatori republikan Lindsey Graham, i cili kryeson Komisionin për Gjyqësorin, tha të hënën se votuesit zgjodhën republikanë për të udhëhequr Senatin në zgjedhjet e vitit 2018 pjesërisht sepse ata ishin të përkushtuar për të mbështetur të emëruarit e Gjykatës së Lartë të Presidentit Trump.

“Ne duhet ta respektojmë atë mandat”, tha ai, duke folur nga salla e Senatit.

Republikanët kanë një shumicë 53-47 në Senat, por dy republikanë – Susan Collins nga Maine dhe Lisa Murkowski nga Alaska – thanë gjatë fundjavës se do të kundërshtonin votimin e kandidaturës së Presidentit Trump para zgjedhjeve.

Presidenti Trump kritikoi të dy ligjvënëset, duke pretenduar se ato ishin “dëmtuar shumë keq” politikisht nga deklaratat e tyre.

Nëse dy republikanë të tjerë thonë jo për një votim të kandidaturës përpara zgjedhjeve të përgjithshme, shqyrtimi i të emëruarit do të pengohet të paktën deri në seancën e Kongresit që zhvillohet pas zgjedhjeve. Nëse një tjetër republikan kundërshton, Nënpresidenti Mike Pence mund të thyejë ngërçin e votave 50-50 në Senat në favor të shqyrtimit të kandidaturës së paraqitur nga Presidenti Trump