Judah për “Autostradën e Paqes”: E paqartë se çfarë do të financojnë amerikanët

  • A.P /
  • 22 September 2020 - 18:42
Judah për “Autostradën e Paqes”: E paqartë se çfarë do të financojnë amerikanët

Analisti për çështjet e Ballkanit, Tim Judah, ka thënë se është e paqartë se çfarë do të financohet nga amerikanët, kur është në pyetje pika e Marrëveshjes së Washingtonit që përfshin “Autostradën e Paqes”.

Si ka shkruar ai në Twitter, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ia ka bërë të ditur se kur është në pyetje kjo rrugë, Bashkimi Evropian tashmë është përkujdesur për një gjë të tillë.

“Sot flitet për një ndihmë prej 1 miliard dollarësh për ta financuar atë. Por e gjithë kjo është e mistershme”, ka shkruar ai, teksa i është referuar deklaratave të dhëna të hënën në Prishtinë, gjatë vizitës së delegacionit të Qeverisë amerikane.

Judah ka përcjellur në Twitter edhe detajet që i janë dhënë nga BERZH-i rreth kësaj rruge dhe financimit të saj:

1. Nish-Ploçnik bashkëfinancim i Bankës Evropiane për Investime dhe BERZH-it me grante të BE-së, tenderët do të lansohen në fillim të tetorit.

2. Ploçnik – Merdarë, duke u përgatitur me grante nga BE-ja për financim si më lartë.

3. Prishtinë – Merdare, njëjtë

4. Prishtinë – Tiranë, tashmë gati e kompletuar nga Bechteli më 2010.

“Pra, a mund të jetë ky edhe një rast tjetër kur BE-ja bën diçka të mirë dhe paguan për të dhe askush të mos ta dijë? Për shembull BE-ja paguan për shumë gjëra në Serbi, por shumë serbë besojnë se Rusia dhe Kina kanë investuar. A do iu bashkohen atyre së shpejti edhe amerikanët?”, shkruan ai në Twitter.

(Kosova Sot Online)