Po përgatiste 50 mijë euro fals për t’i lëshuar në treg, policia kap të dyshuarin në Prishtinë

  • A.P /
  • 23 September 2020 - 17:54
Po përgatiste 50 mijë euro fals për t’i lëshuar në treg, policia kap të dyshuarin në Prishtinë

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për veprën penale “Falsifikim i parasë”. I dyshuari kishte qenë duke u përgatitur t’i lëshojë në treg 50 mijë euro të falsifikuara

Në njoftimin e policisë bëhet e ditur se hetimet për këtë rast kanë filluar nga data 16 shtator.

Sipas policisë, i dyshuari ka qenë duke prodhuar para të falsifikuara në bankënota të ndryshme si pesë, dhjetë dhe njëzet euro.

“Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Prishtinë ka ndërmarrë veprime të menjëhershme hetimore dhe operative, ku dhe është kuptuar se personi i dyshuar me inicialet L. A mashkull/ kosovar është në përgatitje të një shume prej 50.000 euro para të falsifikuara, për t’i lëshuar në treg. Në lidhje me rastin është kontaktuar prokurori kompetent dhe gjyqtari i procedurës ku nga dhe është dhënë urdhri verbal për kontrollim të lokacionit ku dyshohej se po prodhoheshin paratë e falsifikuara”, njofton policia.

Në vendin e dyshuar janë gjetur dhe sekuestruar:

Gjatë realizimit të kontrollit në lokacionin e dyshuar njësitë policore kanë gjetur dhe sekuestruar :

· Një printer së bashku me pesë (5) euro të ngjitura në faqen printuese,

· Gjashtëdhjetë e pesë (65) copa letër A4 me para të falsifikuara në të dy anët,

· Dyqind e dy (202) copa letër A4 me nga pesë (5) euro në të dy anët,

· Katër dhjetë e katër (44) kartëmonedhë nga 20 euro që dyshohet se janë të falsifikuara,

· Shtatëdhjetë e katër (74) kartëmonedha nga 10 euro që dyshohet se janë të falsifikuara,

· Njëqind e gjashtëdhjetë (160) kartëmonedha nga 5 euro që dyshohet se janë të falsifikuara,

· Një (1) kartëmonedhë prej 50 euro që dyshohet se është e falsifikuar,

· Foli me shenjë të sigurisë së parave dhe

· Dy telefona celular.

(Kosova Sot Online)

I dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Pas kontrollit i dyshuari është arrestuar dhe i njëjti është intervistuar, në konsultim me prokurorin kujdestar të PTH-Prishtinë, i dyshuari dërgohet në ndalim për 48 orë”, njofton policia.