Presidenti i Palestinës e falenderon Erdoganin që po tenton ta parandalojë hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem

  • A.P /
  • 23 September 2020 - 18:05
Presidenti i Palestinës e falenderon Erdoganin që po tenton ta parandalojë hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem

Presidenti i Palestinës, Mahmoud Abbas, përmes një bisede telefonike të zhvilluar të hënën, e ka falenderuar presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan që po tenton ta parandalojë hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem pas njohjes nga Izraeli.

Agjencia palestineze e lajmeve, Wafa, raporton se Abbas e ka falenderuar Erdoganin për kontaktet që presidenti turk i pati me presidentët e Kosovës dhe Serbisë, për t’i këshilluar ata që të mos hapin ambasada në Jerusalem.

Në takimin me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë, Kosova i është zotuar presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump për ta hapur ambasadën e saj në Jerusalem, duke fituar njohjen nga Izraeli.

Serbia, ndërkaq, gjithashtu u zotua që ta zhvendoste ambasadën e saj në Jerusalem.

Turqia kishte nxituar të reagonte shpejt për ta kundërshtuar këtë hap të Kosovës. Ministria turke e Punëve të Jashtme, përmes një deklarate e kishte quajtur këtë si hap zhgënjyes dhe shkelje e ligjit ndërkombëtar.

“Është zhgënjyese që një hap i tillë, që do të përbënte shkelje të qartë të ligjit ndërkombëtar, po shyqrtohet nga autoritetet e Kosovës”, thuhej në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Turqisë.

Ndërkohë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u përpoq që përmes një telefonate me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, ta qetësonte irritimin e Turqisë në lidhje me vendimin e Kosovës për njohjen e Izraelit.

“Një njohje e tillë nuk do të shkelë në asnjë rrethanë partneritetin strategjik, miqësor dhe vëllazëror me Turqinë”, kishte thënë Thaçi pas bisedës. Madje, para tri ditësh ai shkoi në Stamboll për t’u takuar me Erdoganin.

Edhe më negativ ishte reagimi i Bashkimit Evropian (BE), që i paralajmëroi Kosovën dhe Serbinë se zhvendosja e ambasadave të tyre në Jerusalem mund t’i minojë shpresat e tyre për t’u anëtarësuar në BE.

“Nuk ka asnjë shtet anëtar të BE me një ambasadë në Jeruzalem”, kishte thënë zëdhënësi i Komisionit Evropian (KE), Peter Stano. “Çdo hap diplomatik që mund ta vërë në pikëpyetje pozicionin e përbashkët të BE’së për Jeruzalemin është një shqetësim serioz”, kishte theksuar ai. 

(Kosova Sot Online)