Fermerët dhe përpunuesit e qumështit i shkruajnë letër Hotit, paralajmërojnë protesta masive

  • A.P /
  • 23 September 2020 - 19:44
Fermerët dhe përpunuesit e qumështit i shkruajnë letër Hotit, paralajmërojnë protesta masive

Kryetari i këshillit koordinues ndërmjet shoqatave prodhuese dhe përpunuese të qumështit, Ramadan Memaj ka paralajmëruar se nga dita e martë më 29 shtator, të gjithë fermerët, pikat grumbulluese dhe disa përpunues të qumështit do të fillojnë me protesta masive fillimisht në Prishtinë, e mandej në të gjithë Kosovën.

“Ne kontrollojmë vazhdimisht marketet dhe kemi parë që edhe një javë pas hyrjes në fuqi të këtij ligji nuk ka aspak rënie të numrit apo sasisë së këtyre produkteve në raftet e marketeve tona. Sasia e tepricës sot është 70.000 litra, por nga java e ardhshme kjo sasi të dyfishohet dhe shumë shpejt do të arrijë në 150.000 litra qumësht në ditë që duhet të asgjësohen. Andaj protestat tona nuk do të ndalen deri në largimin e çdo produkti nga raftet e marketeve të Kosovës e të cilat përmbajnë: vaj palme të përziera me qumësht pluhur, hirrë pluhur, proteina, proteina me modifikim gjenetik dhe amidon”, thuhet në letrën dërguar kryeministrit Avdullah Hoti.

Për më tepër, Memaj thotë se Qeveria Hoti ka afat deri më 29 shtator të ndërmarrë masa për heqjen e këtyre produkteve nga tregu, duke përkujtuar se vaji i palmës është kancerogjen dhe gjenotoksik dhe një gjë të tillë e ka vërtetuar edhe Agjencia Evropiane e Ushqimit.

(Kosova Sot Online)