Paralajmërohet kufizimi i kohëzgjatjes së vizave për studentët kosovarë në SHBA

  • A.P /
  • 24 September 2020 - 21:08
Paralajmërohet kufizimi i kohëzgjatjes së vizave për studentët kosovarë në SHBA

Aaron Reichlin-Melnick, këshilltar politik në Këshillin Amerikan për Emigracion, përmes një postimi në Twitter ka thënë se me propozimin e ri të Departamentit të Sigurisë së Brendshme studentët nga disa shtete do të kenë të limituar vetëm deri në dy vjet marrjen e vizave.

E njëra ndër shtetet që përfshihen në këtë propozim është edhe Kosova.

“Në propozimin e ri të Departamentit të Sigurisë së Brendshme, nëse keni lindur apo jeni qytetar i njërit prej këtyre vendeve në këtë hartë, nuk do të mund të merrni vizë katër vjeçare në SHBA, ndërsa viza e studentëve limitohet maksimumi deri në dy vjet”, ka shkruar Reichlin-Melnick.

E për këtë ka reaguar edhe deputetja Mimoza Kusari-Lila përmes një postimi në Facebook.

“Jo liberalizim siç u tha, por sot u lëshua njoftimi nga Departamenti Amerikan për Siguri Kombëtare se është vendosur kufizim i kohës për të cilën mund të aplikojnë studentët nga Kosova për vizë amerikane. Në këtë njoftim u bë e ditur se studentët nga shtetet në listat e bashkangjitura do të mund të marrin vizë jo më gjatë se 2 vite për studim në SHBA”, ka shkruar ajo.

Kusari-Lila ka shtuar se Kosova është në mesin e shteteve nga Afrika dhe Azia e cila është vlerësuar se shtetasit e saj e tejkalojnë kohën e qëndrimit të tyre përtej afatit të vizës valide në SHBA.

“Andaj Administrata e Presidentit Trump që nga viti i kaluar ka filluar përgatitjen e një kufizimi më të ashpër për këto shtete. Njoftimi zyrtar u publikua sot, ndërsa duket se ka qenë i përgatitur para 4 Shtatorit, por ja që delegacioni i Kosovës në SHBA “nuk ka pas mundësi” ta adresojë si duhet se ishin duke e nënshkruar Ujmanin dhe mini Schengenin”, ka shkruar Kusari-Lila. “Por nuk lidhje, janë mësuar kosovarët me apliku dhe ri-apliku pë viza, me rëndësi fotot e mira i kemi. Normalizim se jo mahi!”.

(Kosova Sot Online)