Rrëfehet para Gjykatës i akuzuari për therje me thikë të një personi për një zingjir të qenit

  • A.P /
  • 25 September 2020 - 16:33
Rrëfehet para Gjykatës i akuzuari për therje me thikë të një personi për një zingjir të qenit

Izet Ahmeti, i akuzuar për therje me thikë të një personi e ka mohuar fajësinë në shqyrtimin fillestar të mbajtur të premten, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Arjan Xhema, i pandehuri deklaroi se nuk e ndien veten fajtor për veprën penale që i vihet në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këto rrethana, gjykatësja Lidija Vuqeroviq e ka njoftuar të pandehurin me të drejtën e tij për të kundërshtuar provat dhe për të kërkuar hedhjen e aktakuzës, brenda afatit 30 ditor nga shqyrtimi fillestar.

Lidhur me kundërshtimet, gjykatësja Lidija Vuqeroviq tha se do të vendosë jashtë seancës dëgjimore.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 16 qershor 2020, kishte ngritur aktakuzë ndaj Izet Ahmetit.

Sipas aktakuzës, më 17 nëntor 2019, në fshatin Suhodoll, Komuna e Mitrovicës me dashje i shkakton lëndim të lehtë të dëmtuarit Berat Haliti, ashtu që i pandehuri e kishte thirrur të dëmtuarin që të takonte në afërsi të “teqes”, në Suhodoll në lidhje me një zingjir të qenit, ndërsa i dëmtuari kishte dalur me vëllain e tij, ku pas një fjalosje i pandehuri e kishte sulmuar të dëmtuarin duke e godit me thikë në pjesën e majtë të barkut, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore dhe ka ikur nga vendi i ngjarjes.

Më këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, nga neni 185 paragrafi.1 dhe 2 të KPRK-së. 

(Kosova Sot Online)