Zviceranët votojnë sot për t’i dhënë fund lëvizjes së lirë me BE-në

  • A.P /
  • 27 September 2020 - 09:14
Zviceranët votojnë sot për t’i dhënë fund lëvizjes së lirë me BE-në

Votuesit zviceranë do të vendosin të dielën nëse do ta braktisin marrëveshjen për lëvizje të lirë të njerëzve me vendet e Bashkimit Evropian.

Përkrahësit e këtij ndryshimi thonë se largimi nga marrëveshja do t’ia mundësojë Zvicrës kontrollimin e kufijve të vet dhe përzgjedhjen e atyre imigrantëve për të cilët ka nevojë, shkruan BBC

Në anën tjetër, kundërshtarët e kësaj nisme pretendojnë se braktisja e marrëveshjes për lëvizje të lirë do ta fuste ekonominë në recesion dhe do t’ua merrte lirinë qindra mijëra zviceranëve që të jetojnë dhe punojnë në pjesë të ndryshme të Evropës.

Ministrja e Drejtësisë dhe Policisë, Karin Keller-Sutter, thotë se largimi i Zvicrës nga kjo marrëveshje do të krijonte një situatë më të keqe se Brexit-i.

Zvicra shumë kohë më parë ka vendosur të mos i bashkohet BE-së, por ajo dëshiron qasje në zonën evropiane të tregtisë së lirë dhe dëshiron të bashkëpunojë me Brukselin në fusha si transporti, mjedisi, shkenca dhe arsimi.

Çmimi për këtë është zbatimi i shtyllave kryesore të politikave të BE-së përshirë lëvizjen e lirë dhe anëtarësimin në Zonën Schengen.

BE-ja vazhdimisht i ka treguar Zvicrës se largimi i mundshëm nga marrëveshja për lëvizje të lirë do të nënkuptonte edhe tërheqje nga marrëveshjet tjera që sjellin përfitime për shtetin helvetik.

Propozimi për tërheqje të vendit të pasur nga marrëveshja për lëvizje të lirë erdhi nga Partia Popullore, e cila është parti djathtiste. Sipas anëtarit të kësaj partie, Thomas Aeschi, marrëveshjet tregtare nuk janë aq të rëndësishme sa portretizohen në medie.

Megjithatë, Stefan Manser-Egli nga grupi Operation Libero, thotë se largimi nga kjo marrëveshje do të kishte një kosto të qartë, sepse Zvicra varet shumë nga tregtia me Bashkimin Evropian.

(Kosova Sot Online)