Faqja e internetit me hartën e krimeve të luftës në Serbi: Vendet e vrasjeve e torturave, djegia e kufomave të shqiptarëve

  • A.P /
  • 27 shtator 2020 - 12:03
Faqja e internetit me hartën e krimeve të luftës në Serbi: Vendet e vrasjeve e torturave, djegia e kufomave të shqiptarëve

Zakonisht thuhet se sa pjesëmarrës në konflikt po aq ka interpretime, respektivisht të vërteta. Për këtë arsye, ndonjëherë është e vështirë të kemi pamjen reale të asaj që ka ndodhur gjatë konflikteve në hapësirat e ish-Jugosllavisë.

Mediat serbe shkruajnë se, pikërisht për këtë arsye edhe është krijuar ueb faqja ratusrbiji.rs, e cila nuk është shumë e njohur në Serbi. Derisa shumë do të thonë se përmbajtja e kësaj faqe është skandaloze, zyrtarisht në të thuhet se ajo synon të informojë dhe edukojë për ekzistimin e krimeve të luftës dhe shkeljeve të tjera të rënda të të drejtave të njeriut në periudhën nga 1991 deri në 2001 në territorin e Serbisë.

“Duke dekonspiruar narrativën zyrtare se shteti i Serbisë nuk ishte i përfshirë në shpërbërjen me luftë të RSF të Jugosllavisë, dhe se krimet nuk ndodhën në Serbi, duam të përkujtojmë përgjegjësinë e shtetit të Serbisë, por edhe për viktimat e një serie krimesh të papranuara dhe të panjohura për shoqërinë serbe”, thuhet në fillim të kësaj faqe, të regjistruar në Serbi, me një domen serb.

Siç shkruajnë mediat serbe faqja “Lufta në Serbi” është e pazakontë për këto hapësira,  por gjithashtu unike, sepse pavarësisht nga fakti se krimet kanë ndodhur në të gjithë ish-Jugosllavinë, nuk ka përmbajtje të ngjashme në rajone të tjera.

Çfarë mund të lexohet në këtë faqe interneti

Faqja është e ndarë në tri pjesë. E para është një hartë interaktive e Serbisë, e cila ofron pasqyrë për kryerjen e sistematike të krimeve në territorin e Serbisë.

Në hartë janë dhjetëra pika të kaltra që tregojnë vendet ku diçka ka ndodhur, dhe ato mund të filtrohen dhe përzgjidhen për të treguar vetëm vende të caktuara (varre masive, vendet e djegies së kufomave, kampet, vendet e terrorit, vendet e zhdukjes, vendet e vrasjeve, vendet e persekutimit, vendet e torturave, vendet e rrëmbimeve, vendet e zhdukjes me forcë, memorialet, etj.).

Harta interaktive e krimeve të luftës në Serbi

Nëse shënojmë “kampe”, në hartë  mbeten saktësisht 14 pika dhe ato paraqesin vendet Sombor, Novi Sad, Shid, Sremska Mitrovica, Begejce, Stajicevo, dy kampe në Beograd dhe një në Bubanj Potok, Sljivovica, Mitrovo Polje, Aleksinac, Nish dhe Breznice.

Megjithëse nuk ka të dhëna zyrtare, si një nga kampet, vendi ku ishin vendosur të burgosurit nga Kroacia gjatë viteve 1990 është salla SPENS në Novi Sad.

Bor dhe Maçkatica përmenden si vende të djegies së trupave.

“Dëshmitarët përmendin basenin e minierave dhe shkrirjes në Bor si një nga vendet ku u dogjën trupat e shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës së vitin 1999 … Supozohet se kompleksi i aluminit Maçkatica afër Surdulicës ishte përdorur si vendi i djegies së trupave të civilëve shqiptarë në  vitin1999”, thuhet në këtë hartë interaktive.

Përveç hartës, ekziston një kategori e quajtur “baza e njohurive”. Siç thuhet ajo përbëhet nga analiza që mbështeten në dokumente, fakte të vërtetuara nga gjykata, artikuj dhe botime që tregojnë forma të dhunës dhe krimeve, si dhe forma të rezistencës ndaj dhunës dhe luftës në territorin e Serbisë.

Brenda kësaj faqje të internetit  mund të gjenden analiza në lidhje me temat e mëposhtme: varre masive sekrete, kampe, mobilizime të detyruara, njësi paramilitare, terror dhe dëbim të pakicave, trazira dhe lëvizja anti-luftë në Serbi.

Për shembull, brenda tekstit për njësi të barabarta, mund të lexoni më shumë rreth aktiviteteve të Gardës Vullnetare Serbe, Skorpionët, por edhe të Partisë Radikale Serbe. Secili prej këtyre teksteve është i lidhur gjithashtu me dëshmitë e civilëve dhe është gjithashtu e mundur të gjenden informacione nëse ekzistojnë epilogët gjyqësorë.

Ueb faqen e ka mbështetur nga Gjermania

Siç thuhet në vetë faqen e internetit, rezultati i konflikteve të armatosura në ish-Jugosllavinë e RSF-së në periudhën nga 1991 deri në 2001është vdekja e dhunshme e 130,000 njerëzve, ndërsa më shumë se 10,000 njerëz ende konsiderohen  të zhdukur.

“Zyrtarët dhe institucionet e Republikës së Serbisë nga fillimi i luftës e deri më sot, me përjashtime të rralla, mohojnë pjesëmarrjen e forcave të armatosura të RFJ-së dhe Serbisë në luftën në Kroaci dhe Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe ekzistencën e krimeve të luftës në Serbi që janë të lidhura ngushtë me këto konflikte të armatosura”, thuhet në ueb faqe, që është krijuar me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë.

Sidoqoftë,  thuhet se përmbajtja dhe pikëpamjet e paraqitura në këtë faqe përfaqësojnë pikëpamjet e Nismës Rinore për të Drejtat e Njeriut dhe nuk shprehin domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë.

Ambasada Gjermane në Beograd ka konfirmuar se Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë ka dhënë mbështetje për krijimin e kësaj faqe dhe thotë se ballafaqimi me të gjitha aspektet e historisë është jashtëzakonisht i rëndësishëm.

(Kosova Sot Online)