Përfundon seanca e parë e Tribunalit Special, Mustafa nuk pranoi të deklarohej rreth fajësisë

  • A.P /
  • 28 September 2020 - 16:07
Përfundon seanca e parë e Tribunalit Special, Mustafa nuk pranoi të deklarohej rreth fajësisë

Ka përfunduar seanca e parë gjyqësore në Tribunalin Special ndaj ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa.

Gjyqtari ka marrë informacionet e nevojshme fillestare, ndërsa pasi mori edhe deklaratat e Salih Mustafës dhe të avokatit të tij, e mbylli këtë seancë.

Salih Mustafa para gjyqtarit u prezantua si zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes.

Paraprakisht, një sekretare e Speciales ia lexoi Mustafës të gjitha akuzat në të cilat përfshihet, duke përmendur, mes tjerash, tortura e trajtim çnjerëzor të të ndaluarve në një kamp në fshatin Zllashë më 1999.

Mustafa refuzoi që për fajësinë të deklarohet në këtë seancë të parë. Ai deklaroi se i duhet kohë që për këtë të diskutojë me avokatin e tij.

Salih Mustafa gjatë seancës ka konfirmuar se avokati që e përfaqësoi sot në seancën gjyqësore do të jetë avokat i tij gjatë tërë procesit të gjykimit.

Avokati i tij, para gjyqtarit të Procedurës Paraprake ka thënë se Mustafa deri më tani nuk e ka parë aktakuzën e ngritur ndaj tij, duke thënë se është i informuar vetëm për versionin e redaktuar ku janë të fshehura disa informacione.

“Klienti im ka marrë vetëm versionin e redaktuar të aktakuzës, nuk e di pse janë redaktuar apo kush është përmendur në versionin e redaktuar. Kur të jetë i disponueshëm na duhet. Sigurisht të gjitha këto janë shumë të reja për klientin tim, do të i duhet një far kohe për t’u përshtatur”, ka thënë ai.

(Kosova Sot Online)