Dy luftëtarë thonë se Turqia po dërgon rebelë sirianë në Azerbajxhan

  • A.P /
  • 28 shtator 2020 - 16:10
Dy luftëtarë thonë se Turqia po dërgon rebelë sirianë në Azerbajxhan

Dy rebelë sirianë kanë thënë se Turqia është duke dërguar luftëtarë sirianë për ta përkrahur Azerbajxhanin në përleshjen e armatosur kundër forcave armene.

Një pretendim të tillë e bëri më herët të hënën edhe ambasadori i Armenisë në Rusi, i cili tha se Turqia i ka dërguar rreth 4,000 luftëtarë nga Siria për të luftuar përkrah ushtrisë së Azerbajxhanit.

 Sipas këtij diplomati, këta luftëtarë tashmë janë duke marrë pjesë në luftime përgjatë vijës së frontit në rajonin e kontestuar të Nagorno-Karabakut, raportoi agjencia Interfax.

Megjithatë, një ndihmës i presidentit azer, Ilham Aliyev, e mohoi një gjë të tillë, duke e cilësuar deklaratën e ambasadorit armen si provokim të radhës nga Armenia.

“Thashethemet se militantët nga Siria po dërgohen në Azerbajxhan janë një tjetër provokim nga ana armene dhe s’kanë kurrfarë kuptimi”, tha ndihmësi i presidentit Aliyev, Khikmet Gadzhiev.

Kryeministri armen, Nikol Pashinyan, të dielën u bëri thirrje fuqive botërore që ta parandalojnë ndërhyrjen e Turqisë në konflikt pasi kjo e fundit disa here e ka kërcënuar Armeninë dhe ka thënë se do t’i ofrojë përkrahje në çdo formë Azerbajxhanit.

Kombet e Bashkuara, Shtetet e Bashkuara, Franca, Rusia dhe Kina kanë bërë thirrje për armëpushim të menjëhershëm në zonën e konfliktit.

(Kosova Sot Online)