Ambasadori i Kosovës në Gjermani s’dëshmon në detaje për rastin e Agon Musliut

  • A.P /
  • 28 shtator 2020 - 16:15
Ambasadori i Kosovës në Gjermani s’dëshmon në detaje për rastin e Agon Musliut

Ambasador i Kosovës në Gjermani, Beqë Cufaj përmes video-lidhjes ka dëshmuar në Komisioni Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë nga ana e Qeverisë.

Ai në pyetjet e deputetëve ka refuzuar  të përgjigjet meqenëse rasti i Agon Musliut, të riut që vdiq në Qendrën e Studentëve, është duke u hetuar.

Pas kësaj ka reaguar kryetarja e Komisionit Mimoza Kusari-Lila, si dhe këshilltari ligjor i Kuvendit, Muhamet Bytyqi, të cilët kanë thënë se Cufaj ka të drejtë të mos përgjigjet në pyetje të caktuara por se është i obliguar që t’i përgjigjet thirrjes për të dëshmuar.

Edhe Bekim Haxhiu i PDK-së, ka reaguar, duke thënë se refuzimi që të dëshmohet para Komisionit është njëjtë si të refuzohet të dëshmohet para organeve të drejtësisë.

Cufaj është përgjigjur në disa prej pyetje të përgjithshme, por ka refuzuar që të flas për rastin e Agon Musliut.

“Për rastin në fjalë unë nuk përgjigjem”, ka thënë ai, derisa ka refuzuar të përgjigjet në pyetjen e deputetit Bekim Haxhiu, lidhur me dokumentet mjekësore të të ndjerit

Pas kësaj dëshmia e ambasadorit është ndërprerë me kërkesë të kryetares së Komisionit, Mimoza Kusari-Lila, e cila ka kërkuar nga zyra ligjore e Kuvendit që t’i dërgojnë Cufajt një opinion ligjor lidhur me obligimet që kanë dëshmitarë karshi Komisioneve hetimore parlamentare.

(Kosova Sot Online)