Deputeti zviceran i zemëron ata që mbajnë shtetësi të dyfishtë në shtetin alpin

  • E.K /
  • 06 October 2020 - 10:52
Deputeti zviceran i zemëron ata që mbajnë shtetësi të dyfishtë në shtetin alpin

Një deputet i Partisë Popullore Zvicerane të krahut të djathtë (SVP) ka thënë se deputetët që kanë kombësi të dyfishtë “nuk përfaqësojnë interesat më të mira të Zvicrës”. Këto deklarata të tij kanë shkaktuar zemërim, shkruan the local.ch.

Andreas Glarner i ka thënë SonntagsZeitung se ai po e paraqet një propozim në parlament për t’i cilësuar shtetasit e dyfishtë të papërshtatshëm për të kandiduar për në Këshillin Kombëtar ose Këshillin e Shteteve – dy dhomat që formojnë parlamentin.

Njoftimi pason një mosmarrëveshje që Glarner pati në shtator me një deputet tjetër, Sibel Arslan, i cili ka një shtetësi zvicerane dhe turke.

Të dy u grindën kur Arslan, anëtar i Partisë së Gjelbër, mbrojti protestuesit e klimës të mbledhur përpara në Ndërtesën e Parlamentit në Bern.

Glarner ofendoi Arslan para kamerave televizive, duke i thënë asaj se Zvicra është një komb i rendit dhe ligjit, “diçka që nuk ekziston në vendin tënd”.

Shpërthimi i tij shkaktoi kritika të përhapura, përfshirë edhe nga partia e tij. Anëtari i partisë Michael Frauchiger shkroi në Twitter:

“Arslan është një shembull i integrimit të suksesshëm, dhe ti, Andy, je racist!” Një numër deputetësh zviceranë kanë kombësi të dyfishtë, duke përfshirë një deputete të SVP, Yvette Estermann, e cila u rrit në ish-Çekosllovaki.

“Shtetësia e dyfishtë në parlament nuk është problem”, tha ajo. “Nuk është çështje e pasaportës tuaj, por e asaj që keni në zemrën tuaj”.

Një tjetër deputete me kombësi të dyfishtë, Yvonne Feri e Partisë Social Demokrate, e cila ka pasaporta zvicerane dhe italiane, tha se ajo përfaqëson interesat e zgjedhësve të saj, “dhe jo të Italisë”.

Feri shtoi se parlamenti është një reflektim i Zvicrës, ku gati 25 përqind e popullsisë ka rrënjë të huaja.

Sipas Rainer J. Schweizer, profesor i së drejtës kushtetuese, zbatimi i propozimit të Glarner do të ishte problematik nga pikëpamja ligjore. Ai tha se një ndryshim kushtetues do të ishte i nevojshëm për të ndaluar qytetarët e dyfishtë të kandidojnë për zyrat kombëtare.

Kjo mund të vendoset vetëm përmes një referendumi. Dhe edhe atëherë, çështja nuk do të zgjidhej sepse ndalimi do të binte ndesh me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“Përjashtimi i shtetasve të dyfishtë nga parlamenti nuk do të pranohet sepse do të shkelte lirinë e shprehjes dhe ligjin kundër diskriminimit”, tha ai.

(Kosova Sot Online)