Godet “paqësori” Assad: Erdogani është nxitësi kryesor i konfliktit Armeni – Azerbajxhan

  • E.K /
  • 06 October 2020 - 10:33
Godet “paqësori” Assad: Erdogani është nxitësi kryesor i konfliktit Armeni – Azerbajxhan

Presidenti diktatorial i Sirisë, Bashar al-Assad, e ka akuzuar presidentin turk, Rexhep Erdogan, se është nxitësi kryesor i konfliktit mes Azerbajxhanit dhe Armenisë.

Këtë deklaratë ai e dha gjatë një interviste për agjencinë ruse të lajmeve, RIA, shkruan Reuters.

Sipas Rrjetit Sirian për të Drejtat e Njeriut, forcat qeveritare të Asadit janë përgjegjëse për vrasjen e më shumë se 199.000 civilëve gjatë luftës nga viti 2011 deri në vitin 2020.

Luftimet mes Azerbajxhanit dhe Armenisë për rajonin e kontestuar filluan më 27 shtator dhe janë më të përgjakshmet që nga vitet e nëntëdhjeta.

Konflikti i ka shtuar shqetësimet ndërkombëtare për mundësinë që në këtë konflikt të përfshihen edhe fuqitë rajonale dhe botërore, përfshirë Turqinë dhe Rusinë.

Turqia haptazi i ka ofruar përkrahje Azerbajxhanit dhe ka kërkuar që trupat armene të tërhiqen nga rajoni që nga komuniteti ndërkombëtar njihet si pjesë e integritetit territorial të Azerbajxhanit.

Në anën tjetër, Armenia ka një pakt të mbrojtjes me Rusinë dhe do të mund ta shfrytëzonte atë në konflikt. Raportet mes dy republikave të ish-Bashkimit Sovjetik kanë qenë të tensionuara që nga vitet e nëntëdhjeta, kur armenët e kishin marrë kontrollin në rajonin Nagorno-Karabak.

(Kosova Sot Online)