“Përdoruesit e drogave dhe Covid-19, një marrëdhënie vdekjeprurëse”

  • E.K /
  • 14 October 2020 - 19:03
 “Përdoruesit e drogave dhe Covid-19, një marrëdhënie vdekjeprurëse”

Në një përpjekje për të izoluar sa më shumë raste të mundshme të Covid-19, e gjithë bota është përpjekur të mbyllë një sërë shërbimesh.

Por kjo nuk ka qenë një problem për përdoruesit e lëndëve narkotike.

Sipas disa raporteve ndërkombëtare gjatë periudhës së pandemisë së Covid-19, është rritur numri i konsumatorëve të substancave narkotike.

Si ndikon Covid-19 tek përdoruesit e lëndëve narkotike?

Një studim i fundit i publikuar në revistën “Nature” ka treguar se personat që përdorin lëndët narkotike kanë një rrezik më të lartë të zhvillimit të Covid-19, krahasuar me pacientët e tjerë. Sipas të dhënave, pacientët që kanë qenë përdorues të lëndëve narkotike, ose personat që përdorin vazhdimisht lëndë narkotike, shpesh kanë një sërë sëmundjesh të tjera si sëmundjet kardiovaskulare, pulmonare dhe metabolike. Nga të dhënat e studimit, rezulton gjithashtu se pacientët që kishin qenë përdorues kishin një rrezik më të madh për t’u prekur nga Covid-19, pasi ata janë të predispozuar të preken më shpejtë nga sëmundjet.

Studimi është realizuar tek persona të etnive të ndryshe dhe ka rezultuar se përdoruesit e lëndëve narkotike janë njëlloj të rrezikuar dhe përcaktohet se medikamentet që përdorin pacientët që kanë varësi nga lëndët narkotike, nuk ndikojnë tek gjendja e Covid-19. Por këto rezultate nuk janë të çuditshme. Edhe më herët Organizata Botërore e Shëndetësisë, ka përcaktuar se individët që vuajnë nga sëmundje të ndryshme, veçanërisht personat që janë konsumues të rregullt të duhanit. Iniciativa e OBSH-së për pirjen e duhanit mbështetet më tej nga gjetjet nga një studim i fundit nga studiuesit kinezë, të cilët zbuluan se përparimi i sëmundjes COVID-19 ishte dukshëm më i lartë në mesin e pacientëve konsumues të duhanit.

Rritja e përdoruesve në Shqipëri

Shqipëria renditet e treta në botë për përdorimin e kokainës, në nivele të njëjta me Australinë dhe Kanadanë, sipas hartës së përditësuar të raportit botëror të drogave 2020, një publikimin i Zyrës së Kombeve të Bashkuara kundër Drogave (UNODC-United Nations Office on Drugs and Crime). Vendi ynë ka zbritur në vend të tretë, nga i pari që ishte dy vjet më parë, pasi të dhënat e përditësuara kanë ngjitur në krye të përdoruesve Britaninë e Madhe dhe më pas Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas të dhënave të publikuara në hartë, që për Shqipërinë i referohen ende vitit 2014, prevalenca e përdorimit të kokainës për moshat 15-64 vjeç, që mat përqindjen e personave që e kanë konsumuar të paktën një herë atë, është 2.5%.
Sipas të njëjtit raport, Shqipëria dhe Holanda janë dy shtetet kryesore në Europë që përmenden më shpesh për periudhën 2014-2018 si shtete të origjinës, nisjes dhe tranzitit të barit të kanabisit. Ndërsa për përdoruesit nuk ka një shifër as të përafërt të besueshme. Pohohet vetëm nga burime të pavarura, se përdorimi i hashashit është rritur në mënyrë eksponenciale, sidomos në moshat e reja.
Duke u nisur nga këto shifra të larta të përdoruesve të drogave në vend, pyeti pranë autoriteteve shëndetësore nëse ka pasur apo jo raste të përdoruesve të drogës të prekur nga Covid-19. Dhe nëse ka pasur, si janë trajtuar ata?

Çfarë po ndodh në Shqipëri. A ka persona të prekur nga Covid-19 që janë përdorues droge?

Gjatë periudhës së pandemisë përdoruesit e drogës, patën një vështirësi në gjetjen e lëndëve narkotike, gjë kjo që nxiti edhe gjendjen e rënduar të përdoruesve. Ndërkohë, në Shqipëri nuk ka asnjë të dhënë për sa i përket faktit nëse ka persona që përdorin lëndët narkotike të cilët janë të prekur nga Covid-19.

“Aktualisht, për rastet që kanë ardhur nuk kemi ndonjë informacion. Nuk është bërë ndonjë studim, pra sepse ka gjithmonë raste që vijnë kërkojnë asistencë mjekësore, nëse nuk plotëson kriteret nuk mund të referohet për tampon. Pra rastet kanë ardhur duke marrë asistencë mjekësore dhe janë larguar. Ka edhe raste të tjera që nuk kërkojnë asistencë mjekësore, por ka edhe raste që marrin asistencë mjekësore nëpërmjet thirrjeve telefonike, duke ditur situatën e pandemisë që është. Por në mënyrë konkrete nuk kemi evidentuar asnjë rast për të gjithë ata që kanë ardhur që kanë kërkuar asistencë mjekësore,” ka shpjeguar, Andrin Tahiri, shef i Shërbimit të Toksikologjisë në QSUT.

Sipas Tahirit, studimet duhet t’i shohim në periudhë të mëvonshme, pasi kjo situatë kërkon që të jemi gjithnjë vigjilentë, duke zbatuar edhe protokollet e caktuara nga Ministria e Shëndetësisë.

Ndërkohë, kjo konfirmohet edhe nga shefi i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj i cili shpjegon se nuk kanë hasur ndonjë pacient të prekur nga Covid-19 që është përdorues i lëndëve narkotike.

Më herët mjekë të tjerë si Zihni Sulaj, kanë konfirmuar për mediat se mungesa e lëndëve narkotike gjatë pandemisë, nxiti problemet shëndetësore tek përdoruesit aktivë, gjithashtu edhe për ata që ishin në terapi me metadon sepse ky medikament ishte mungesë në treg për rreth dy muaj.

Çfarë u ndodh personave që konsumojnë lëndë narkotike dhe janë njëkohësisht të prekur nga Covid-19?

Studiuesit kanë shpjeguar se përdoruesit e drogave, si kanabis apo kokaina, gjithashtu mbajnë frymën katër herë më gjatë dhe thithin pesë herë përqendrimet e karboksihemoglobinës, (monoksidi i karbonit në qelizat e kuqe të gjakut), se sa përdoruesit e duhanit.

“Ajo që ndodh me rrugët e frymëmarrjes kur pini drogë është se shkakton një farë shkalle inflamacioni, shumë e ngjashme me bronkitin. Nëse jeni përdorus të drogës, atëherë bashkë me inflamacionin që krijon thithja, shtohet një infeksion, kështu që është shumë herë më e lehtë të vuani nga komplikacionet”, citohet në Revistën “Nature”, pulmonologu Albert Rizzo, i cili është edhe kryetar i shoqatës jofitimprurëse “American Lung”.

Sipas të dhënave nga studime të ndryshme, çdo substancë e thithur mund të ndikojë negativisht në sistemin e frymëmarrjes, pasi këto substanca jo vetëm krijojnë acarim dhe inflamacion të mushkërive, por edhe dëmtojnë sistemin imunitar, duke i bërë përdoruesit më të ndjeshëm, sidomos ndaj infeksioneve. Në një studim të botuar në Revistën Evropiane të Imunologjisë, studiuesit zbuluan se kanabinoidet mund të shkaktojnë një sulm të qelizave shtypëse të rrjedhura nga mieloide (MDSC), një lloj unik i qelizave imune, përmes aktivizimit të receptorëve kanabinoidë. Ndryshe nga shumica e qelizave imune, MDSC në mënyrë aktive shtyp sistemin imunitar.

Rreziqe që nuk dallohen lehtë

“COVID-19 është një sëmundje pulmonare. Ju nuk bëni dot asgjë në këto raste, as të shtoni aftësinë e punonjësve të kujdesit shëndetësor për të bërë një vlerësim të shpejtë dhe të saktë të asaj që po ndodh me ju”, citohet nga CNN, pulmonologu Mitchell Glass.

Sidoqoftë, sfida e diagnostikimit në kohë dhe në mënyrë të saktë, nuk është rreziku i vetëm i fshehur i përdorimit të drogave gjatë kohës së provës. Në një rishikim sistematik dhe meta-analizë të kohëve të fundit, studiuesit zbuluan se një dozë e vetme e tetrahidrokanabinolit (THC), përbërësi kryesor aktiv në drogave të ndryshme, mund të shkaktojë përkohësisht simptoma psikiatrike, duke përfshirë ato të shoqëruara me skizofreni, diçka që u ndodh edhe pacientëve të prekur nga Covid-19; kjo e vërtetuar nga studime të ndryshme.

Glass ka shtuar edhe faktin që shumë njerëz kanë përdorur drogave të ndryshme për të kaluar ankthin gjatë periudhës së pandemisë, por sipas tij kjo është një e keqe edhe më e madhe sepse kjo nuk do të ndihmonte aspak nëse personat prekeshin nga Covid-19.

Sipas ekspertëve të shëndetit, ndër ta edhe Glass është shumë e thjeshtë. Nëse nuk jeni përdorues i rregullt i lëndëve narkotike, mos filloni dhe nëse jeni përdorues i përditshëm rekreativ, ndaloni. (CNN, Nature Reseach, MDlinx, gazeta SI)

(Kosova Sot Online)