Sulm ajror ndaj një medreseje në Afganistan, vriten 11 fëmijë

  • E.K /
  • 22 tetor 2020 - 15:25
Sulm ajror ndaj një medreseje në Afganistan, vriten 11 fëmijë

Së paku 12 civilë janë vrarë gjatë një sulmi ajror në një medrese në provincën veriore afgane, Takhar, thanë zyrtarët lokalë.

Ata thanë se nga sulmi në një medrese në fshatin Hazara Qurluq vdiqën 11 fëmijë dhe mësuesi i tyre fetar, shkruan BBC.

Qeveria afgane e kontestoi këtë shifër, duke thënë se i ka vrarë 12 luftëtarë talibanë në këtë fshat.

Ky sulm erdhi pasi 30 pjesëtarë të forcave të sigurisë u vranë në një pritë të madhe të talibanëve pikërisht në fshatin ku u sulmua medreseja.

Zyrtarët lokalë thanë se 14 persona tjerë u plagosën gjatë sulmit që ndodhi në orët e vona të së mërkurës. Imami i një xhamie që ndodhet afër medresesë së sulmuar, i cili është në mesin e të plagosurve, tha se vetëm ai dhe fëmijët kanë qenë në xhami në kohën kur ndodhi sulmi.

Dhuna mes forcave qeveritare dhe talibanëve është shtuar në javët e fundit, duke e rrezikuar përparimin e synuar në negociatat e paqes, të cilat po zhvillohen në Katar.

(Kosova Sot Online)