Kamberi: Nëse qeveria e re serbe dëshiron pajtim me shqiptarët duhet të ballafaqohen me të kaluarën

  • A.P /
  • 29 October 2020 - 21:16
Kamberi: Nëse qeveria e re serbe dëshiron pajtim me shqiptarët duhet të ballafaqohen me të kaluarën

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka folur për zhvillimet e fundit në Serbi sa u përket të drejtave të shqiptarëve.

Kamberi sot mori fjalën në Kuvendin e Serbisë ku kërkoi hapa konkret për zbulimin e varrezave masive të shqiptarëve.

“Gjërat që i përmenda në fjalim janë problematike kryesore me të cilat përballet Lugina e Preshevës, e të cilat as Qeveria Brnabiq 1 e as Brnabiq 2 nuk ka pasur guxim të merret. Kemi biseduar edhe me presidentin dhe institucionet tjera dhe në asnjë rast nuk kanë treguar vullnet. Deklarata e tij ka pasur të bëjë me shmangien nga përgjegjësia. Serbia më herët është zotuar që të adresojë kërkesat e shqiptarëve”, tha ai

“Zoti Dacic u mundua të ulë problemet me fjalimin e tij por e vërteta është se shqiptarët dhe boshnjakët në Sanxhak janë të diskriminuar. Raportet ndërkombëtare flasin për diskriminim që i bën Serbia pakicave. Ia thashë qeverisë së re që nëse tenton një pajtim me shqiptarët duhet të ballafaqohen me të kaluarën. E para është që të gjenden varrezat masive në Serbi. Por e patë se reagimi i saj dhe i kryeparlamentarit, që më kërcënoi me përjashtim nga seanca dhe Vucic flasin për një mendësi të njëjtë. Kjo është vetëm qeveri e vazhdimësisë së politikave të njëjta. E gjitha cka është arritur deri më tani është falë trysnisë së ndërkombëtarëve. Serbia nuk merr hapa pa presion nga jashtë”, përfundoi ai.

(Kosova Sot Online)