Kamberi: Kërkesat serbe për Ahtisaari+ duhet të balancohen me kërkesa për shqiptarët e Luginës

  • A.P /
  • 29 October 2020 - 21:20
Kamberi: Kërkesat serbe për Ahtisaari+ duhet të balancohen me kërkesa për shqiptarët e Luginës

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se kërkesat e Serbisë për krijimin e asociacionit për komunat serbe në Kosovë duhet të balancohet me kërkesa për të drejta të barabarta të shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

Ai thotë se shqiptarët e Luginës i kanë të drejtat e garantuara me Kushtetutë të Serbisë po që ato nuk zbatohen, ndërsa shteti i Serbisë po kërkon të drejta më shumë se që u garanton Pako e Ahtisaarit.

“Kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që çështja jonë të përfshihet në dialog. Kemi pasur edhe komunikime me zotëri Cakaj. Pa ndihëm e tyre nuk mund të kemi përfundime pozitive. Nuk mund të presim mëshirë nga Vucic, Daqiq dhe Brnabiq. Kërkesat ekstreme serbe duhet të balancohen. Është një paradoks. Serbia kërkon standarte që janë mbi planin e Ahtisaarit. Ajo kërkon Ahtisaari + por neve na mohon të drejtat që i kemi të garantuara me kushtetutë. Është shkelje flagrante. Kosova ka integritet moral dhe politik që çështja e shqiptarëve të Luginës të shtrohet dhe të zgjidhet. Mendoj që Serbia do të vazhdojë të shkelë shqiptarët. Kjo edhe nëse arrihet marrëveshja. Reciprociteti është një formulë që i garanton disa të drejta shqiptarëve”, tha ai.


(Kosova Sot Online)