Rekord i votimit të hershëm në ShBA, mbi 80 milionë amerikanë kanë votuar

  • E.K /
  • 30 October 2020 - 12:39
Rekord i votimit të hershëm në ShBA, mbi 80 milionë amerikanë kanë votuar

Më shumë se 80 milionë amerikanë tashmë i kanë hedhur votat e tyre në kutitë e votimit për zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara. Kjo shifër është shenjë që mund të shënohet rekord edhe në pjesëmarrjen e përgjithshme të qytetarëve në zgjedhje.

Votat e hedhura para kohës janë sa 58 për qind e numrit të përgjithshëm të votave në zgjedhjet e kaluara dhe kjo shifër tregon interesim të madh të amerikanëve për këtë garë, ku do të përballen Donald Trumpi nga Partia Republikane dhe Joe Bideni nga Partia Demokratike.

Një numër i madh i amerikanëve ka votuar përmes postës ose në qendrat e votimit të parakohshëm për shkak të shqetësimeve se mund të infektohen me koronavirus në ditën e zgjedhjeve, më 3 nëntor.

Demokratët kanë epërsi të konsiderueshme në votimin e hershëm për shkak të përkrahjes që ia kanë dhënë votave me postë, që historikisht janë shfrytëzuar shumë nga Republikanët, por që së fundi nuk janë përkrahur pas sulmeve të pabazuara të Trumpit, i cili ka thënë se në votimin me postë ka manipulime.

Ekspertët kanë parashikuar që pjesëmarrja e amerikanëve në këto zgjedhje do të jetë më e madhe se në zgjedhjet e vitit 2016, kur kishin votuar 138 milionë persona, shkruan Reuters.

(Kosova Sot Online)