Krjimi i monopolit përmes ligjit po dëmton akoma kompanitë telekomunikuese

  • A.P /
  • 30 October 2020 - 16:25
Krjimi i monopolit përmes ligjit po dëmton akoma kompanitë telekomunikuese

Një interpretim i gabuar i Ligjit Nr. 04 / L-042 për Prokurimin Publik (LPP), po vazhdon t’i nxjerr probleme operatorëve të sektorit privat, duke i pamundësuar ofrimin e shërbimeve institucioneve publike, duke favorizuar kështu Telekomin e Kosovës dhe duke krijuar monopol në vend. Oda Ekonomike konsideron se ky ligj ka shkelur konkurrencën e lirë në vend.

Për një periudhë pesë vjeçare tashmë, operatorët e sektorit privat janë duke u përballur me diskriminim në ushtrimin e aktiviteteve për të cilat janë licencuar, si rrjedhojë e interpretimeve të gabuara të Ligjit mbi Prokurimin Publik, pavarësisht se mbajnë të drejta për operim sikur çdo kompani tjetër në pronësi publike në Republikën e Kosovës.

E gjithë praktika diskriminuese kundër këtyre kompanive ka filluar si rrjedhojë e interpretimit të lëshuar nga ana e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), lidhur me nenin 9.4, të Ligjit mbi Prokurimin Publik, me anë të së cilës është përcaktuar se: “Nëse autoriteti kontraktues është autoritet publik, autoriteti i tillë publik duhet të marrë masa të arsyeshme për t’u siguruar se lëndët që i përmbushin këto nevoja nuk janë në dispozicion nga ndonjë autoritet tjetër publik”. Pra, bazuar në këtë interpretim, Telekomi i Kosovës është konsideruar autoritet publik, status ky i cili nuk qëndron në rastin në fjalë, marr për bazë se Telekomi i Kosovës nuk është autoritet publik por operator në pronësi publike, status ky me të cilin i garantohen të drejta të barabarta me të gjithë operatorët e tjerë privat, duke përfshirë këtu edhe IPKO’n si investitor i huaj.

 Pavarësisht kësaj, Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), ka vite që ka aplikuar interpretimin në fjalë të KRPP kështu duke favorizuar një operator, pra Telekomin e Kosovës, në dëm të operatorëve të tjerë. Një diskriminim i tillë, i mundësuar nga institucionet publike në Kosovë, ka ndikuar në masë në tregun e telekomunikacionit, duke krijuar monopol të jashtëligjshëm, ka ndikuar në institucione publike duke i detyruar të njëjtat hyjnë në marrëdhënie kontraktuake me një kompani e cila duke u trajtuar si monopol, nuk garanton çmime konkurruese dhe shërbime kualitative dhe më së shumti ka ndikuar në dëme financiare të shkaktuara të ndaj IPKO’s, marr parasysh se i është mohuar e drejta për ofertim të shërbimeve të veta dhe numër i konsiderueshëm i kontratave që ka pasur me institucione publike janë shkëputur.

Praktikë diskriminuese lidhur me ofrimin e shërbimeve të telekomunicationit, të cilat në mënyrë direkte kanë dëmtuar dhe më shumë kompanitë e telekomunikacionit, është krijuar edhe me rastin e miratimit të Vendimit 05/21, nga Qeveria Kurti, me anë të së cilës janë përjashtuar nga fushëveprimi i Ligjit mbi Prokurimin Publik, shërbimet që ofron Telekom i Kosovës, si shërbime të rëndësisë shtetërore. Kompania IPKO ka reaguar kundër këtij Vendimi duke potencuar se i njëjti është bazuar në dispozita të ligjeve të cilat janë keqinterpretuar, pasi që përjashtime të tilla do të  mund të aplikoheshin vetëm nëse këto aktivitete prokurimi do të komprometonin sekretin e ligjshëm ose interesat e sigurisë, fakt ky i cili nuk qëndron në këtë rast,sepse shërbimet që janë objekt i aktiviteteve përkatëse të prokurimit janë shërbime standarde elektronike, të cilat në asnjë mënyrë nuk mund të klasifikohen si marrëveshje sekrete, ndërsa edhe po të ishin të tilla, Telekomi i Kosovës nuk mund të ofroj asnjë masë speciale të sigurisë të cilat operatorët e tjerë të licencuar nuk do të mund t’i ofronin. Një vendim i tillë, pavarësisht se i jashtëligjshëm, është aplikuar nga të gjitha institucionet publike, duke i krijuar dëm të konsiderueshëm IPKO’s deri në momentin e shfuqizimit të këtij Vendimi, nga Qeveria Hoti, e cila me 7 tetor të këtij viti ka shfuqizuar atë, por që pasojat që ka krijuar i njëjti në kohën sa ishte në fuqi, ndihen ende për kompanitë telekomunikuese private

Për këtë çështje ka dalë me qëndrim edhe Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Amerikane në Kosovë. Kryetari i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi, i ka thënë se kjo është shkelje e konkurrencës se lirë.  Sipas Rukiqit, mos rishikimi i interpretimit të këtij ligji, dhe çfarëdo veprimi që ua mohon kompanive të tjera që ofrojnë shërbime telekomunikuese për të ofertuar nëpër tenderë, është veprim i jashtëligjshëm.

 “Ne edhe kur është marrë vendimi nga qeveria e kaluar, kemi dal me një qëndrim të përbashkët me Odën Ekonomike Amerikane, se ky vendim e shkel konkurrencën e lirë në treg. Kjo është e padrejtë, përderisa edhe operatorët privatë i kemi licencuar edhe ata punojnë sipas ligjeve të Kosovës. Edhe tash, çfarëdo veprimi që ua ndalon për me marr pjesë është veprim i paligjshëm dhe është rast i mirë për Autoritetin Kosovar të Konkurrencës”, ka thënë Rukiqi.

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës po ashtu, kishte dalë me rekomandim për qeverinë në detyrë të Kosovës ku thuhej se ky vendimi i Qeverisë, dobëson presionin konkurrues që shpie në përforcimin e kompanisë ekzistuese. “Autoriteti vlerëson se vendimi i Qeverisë së Kosovës i datës 02.04.2020 nr. 05/21 është në kundërshtim me ekonominë  e tregut dhe konkurrencës së lirë”, shkruhej tutje. Autoriteti kishte rekomanduar qeverinë që të rishikojë këtë vendim. Nga AKK-ja kishin deklaruar se ky vendim i qeverisë që përjashton Ligjin e Prokurimit Publik për shërbimet telekomunikuese që ofron Telekomi i Kosovës, si shërbime me rëndësi të veçanta shtetërore, mund të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës përkatësisht neni 119, pika 3. Sipas Autoritetit të Konkurencës, me këtë vendim Qeveria e Kosovës i kishte përjashtuar në tërësi ofertat që mund t’i ofrojnë ndërmarrjet për shërbime telekomunikuese, duke i përjashtuar procedurat e Ligjit të Prokurimit Publik, dhe duke e bërë monopol natyror.

Pavarësisht të sipërshënuarave, sot, kur Vendimi 05/21 është shfuqizuar, diskriminimi ndaj operatorëve  privat si pasojë e interpretimit të gabuar të nenit 9.4, të Ligjit mbi Prokurimin Publik, vazhdon. Si pasojë e kësaj, numër i lartë kontestesh gjyqësore janë hapur dhe janë duke proceduar në gjykatë, humbjet e IPKO’s si kompani private janë çdo ditë më të mëdha dhe tregu i telekomunikacionit në Republikën e Kosovës, po dëmtohet çdo ditë e më shumë.

(Kosova Sot Online)