Si ndodhi masakra e Izbicës, krimi që u tentua të fshihej nga Serbia

  • A.P /
  • 30 October 2020 - 22:49
Si ndodhi masakra e Izbicës, krimi që u tentua të fshihej nga Serbia

Maskara e fshatit Izbicë të Skenderajt ishte ndër më të mëdhatë jo vetëm në Kosovë, por edhe në të gjithë Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore.

Gjithë kjo ngjarje ndodhi vetëm disa ditë pas masakrës së 28 marsit të vitit 1999, kur forcat serbe sulmuan popullsinë civile të strehuar në Izbicë, e ku i vranë dhe më pas i masakruan mese 150 civilë të pafajshëm.

Edhe pse forcat serbe ishin munduar të fshihnin krimin duke zhvarrosur të vrarit e Izbicës, për ti varrosur në lokacione të ndryshme nëpër Serbi e Kosovë, ishin pikërisht satelitët e NATO-s ata që nxorën të vërtetën në sipërfaqe. Përmes një konference për media të NATO-s, u njoftua për kryerjen e këtij krimi ndaj popullsisë civile.

Pas këtij publikimi, ekipet e specializuara serbe, për fshehjen e krimeve i kishin zhvarrosur kufomat dhe i kishin dërguar në lokacione të ndryshme në Kosovë e Serbi. Por, në një dokument të vitit 1999 të gjyqtarit hetues, Nebojsa Avramoviq, më datë 31.05.1999 ai jepte urdhër Prokurorit të Prokurorisë së Qarkut në Mitrovicë, Risto Pecel, për ekshumim të kufomave në Izbicë të Skenderajt. Në urdhër thuhej se në internet ishte përhapur lajmi se në Izbicë kishte një varrezë masive dhe organet shtetërore serbe duhej ta vërtetonin këtë fakt.

Në anën tjetër edhe prokurori Pecel shumë shpejt arrin ta kryej “misionin” e dhënë. Gjatë po të njëjtës ditë ai harton një raport ku thotë se, pasi kishte kryer “hetim të hollësishëm” në terren kishte ardhur në përfundim se në Izbicë nuk kishte kurrfarë varreze masive”. A është e mundur që brenda disa orëve të vërtetohet nëse ekziston ose jo një varrezë masive?! Shkresë zyrtare e Prokurorisë së Qarkut të Mitrovicës përmes të cilës mohohej tërësisht masakra e ndodhur mbi civilët shqiptarë në fshatin Izbicë të Skenderajt, datë: 31.05.1999).

(Kosova Sot Online)