Ky është vendi më tërheqës për punëtorë në botë

  • S.A /
  • 14 November 2020 - 09:45
Ky është vendi më tërheqës për punëtorë në botë

Për të pestën herë me radhë, Zvicra zgjedhet si vendi më tërheqës për punëtorë të kualifikuar nga e gjithë bota. Kështu vazhdon  të jetë madje edhe në kohën e Koronës.

Sipas studimit krahasues “World Talent Ranking” të realizuar nga shkolla e biznesit IMD Lozanë, Zvicra ka mbajtur vendin e parë edhe në edicionin e vitit 2020, pasuar nga Danimarka dhe Luksemburgu, shkruan sda.ch.

Studimi thotë se Zvicra ka arritur të promovojë më së miri talentin vendor dhe është veçanërisht tërheqëse për punonjësit.

Kjo është arsyeja pse ajo mban talentet e veta në vend dhe në të njëjtën kohë tërheq specialistë të huaj, transmeton albinfo.ch. Në këtë mënyrë, vendi alpin zë vendin e parë për dy nga tre faktorët e shqyrtuar në këtë studim krahasues.

Zvicra ka një sistem shëndetësor efikas, shpenzime të larta publike për kokë banori për arsim dhe një cilësi të lartë të jetës.

Por sipas studimit, Zvicra është gjithashtu lidere në fushën e arsimimit praktik dhe pagave, faktorë këta që kanë kontribuar në këtë rezultat.

Shumë pak studentë të shkencave natyrore

Për faktorin e tretë, i cili mat cilësinë e talenteve që janë në dispozicion në vend, Zvicra ka rënë këtë vit nga vendi i dytë në vendin e pestë. Në Zvicër, këtë vit ka pasur më pak studentë se vitin e kaluar që kanë marrë një diplomë në lëndët e matematikës dhe shkencave natyrore, përcjell albinfo.ch. Kur bëhet fjalë për arsimin, siç tregohet edhe nga studimi i Pizës nga OECD, Zvicra renditet vetëm rreth mesatares.

Autorët e studimit vlerësojnë vendet që investojnë shumë në arsim – në të gjitha nivelet arsimore. Për të tërhequr ekspertët është gjithashtu e rëndësishme që ekonomitë të mbeten të hapura për punëtorët dhe idetë.

Evropa Perëndimore, në krye

Në renditjen e përgjithshme, vendet e Evropës Perëndimore janë në krye. Nga vendet fqinje të Zvicrës, vetëm Austria ka hyrë në dhjetëshen e parë dhe është në vendin e gjashtë (pas vendit të katërt vitin e kaluar), transmeton albinfo.ch. Ashtu si në vitin 2019, Gjermania është në vendin e 11. Franca ka humbur 3 vende dhe tani është në vendin e 28-të, ndërsa Italia mbetet vetëm në vendin e 36-të.

Dhjetë vendet në krye të listës tani janë të dominuara nga vendet skandinave. Pas Danimarkës në vendin e 2-të, Islanda renditet e 4-ta, Suedia e 5-ta dhe Norvegjia e 7-të.

SHBA ka humbur tre vende dhe kështu ka përfunduar në vendin e 15-të.

(Kosova Sot Online )